Osmani dhuron një kontingjent librash për Bibliotekën shqipe të Manastirit
BKT
Foto: Presidenca e Kosovës
Në Fokus

Osmani dhuron një kontingjent librash për Bibliotekën shqipe të Manastirit

M.Sh/RTKlive

Presidentja Vjosa Osmani gjatë vizitës zyrtare në Maqedoni të Veriut, në një ceremoni të mbajtur në Ambasadën e Kosovës në Shkup i ka dhuruar një kontingjent librash Bibliotekës shqipe të Manastirit, e cila është në themelim e sipër.

Presidentja Osmani ka përgëzuar nismëtaren Emira Selimi për punën dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm për hapjen e bibliotekës së parë të gjuhës shqipe në qytetin e Manastirit. Kjo iniciativë studentore, sipas saj, nuk do të mund të ndodhte në ndonjë qytet më adekuat se ai i Manastirit, “aty ku edhe buron alfabeti jonë i njësuar dhe gjuha jonë e unifikuar".

“Është gjithashtu inkurajuese që kjo iniciativë është ndërmarrë nga një vajzë, dhe besoj fort se si plot iniciativa tjera frymëzuese nga gratë dhe vajzat, impakti i saj do të jetë jashtëzakonisht i madh. Përfitimet e kësaj biblioteke janë afatgjate dhe do të shkojnë përtej brezave”, ka theksuar presidentja Osmani në ceremoninë e dorëzimit të librave studentes Emira Selimi.

Në fjalën e saj, Emira Selimi i shprehu mirënjohjen e përzemërt Presidentes Osmani për dorëzimin e librave.

Më herët presidentja Osmani mori pjesë edhe në ceremoninë e inaugurimit të rrugës “Ibrahim Rugova” në komunën e Çairit në Shkup.  Me këtë rast, ajo tha se ky është një nder jo vetëm për të e familjen e presidentit Rugova, por për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Çairi do të jetë përjetë i nderuar që po e përjetëson emrin e presidenti Rugova në këtë rrugë”, tha Osmani-Sadriu, duke shtuar se kjo tabelë me këtë emër, do të jetë udhërrëfyese edhe e veprës së presidentit Rugova.

Sipas agjendës, presidentja Osmani-Sadriu mori pjesë në ceremoninë e dhënies së Urdhrit “Hasan Prishtina”, post mortem për Arbën Xhaferi, mbajtur në ambasadën e Republikës së Kosovës në Shkup.


MË SHUME NGA Në Fokus