Tatimi në pronë, qytetarët të pakënaqur me faturat|Video
Arbëresha Berisha /RTK
Afati për pagesën e këstit të parë të Tatimit në Pronë për këtë vit përfundon më 30 prill. Departamenti i Tatimit në Pronë u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i kryejnë obligimet në mënyrë që të mos gjobiten.
Qytetarët, teksa i vlerësojnë të larta tatimet në pronë, ka shumë prej tyre që janë në pritje të faljes së shumës prej 100 eurove që është premtuar nga ministri i Financave. Por ndryshimet ligjore që mundësojnë faljen e këtij tatimi kanë mbetur në Kuvend.
30 prilli është afati i fundit i pagesës së këstit të parë të tatimit në pronë për ata që duan t’u ikin gjobave të përcaktuara me ligj. Megjithatë, qytetarët e intervistuar të Prishtinës ankohen se sivjet ka një rritje enorme të çmimit të Tatimit në Pronë.
Departamenti i Tatimit në Pronë u ka bërë thirrje qytetarëve ta paguajnë këstin e parë të tatimit në mënyrë që t'u ikin gjobave.
Të gjithë tatimpaguesit që ende nuk e kanë kryer obligimin e tyre, mund ta kryejnë pagesën deri më 30 Prill 2023. Duke kryer me kohë obligimet tuaja, ju nuk do të paguani gjoba në shumën 10% të këstit të parë dhe interes prej 0.65% në muaj.
Qeveria ka vendosur t’u falë qytetarëve 100 euro tatimit në Pronë, por ndryshimet ligjore ende nuk kanë përfunduar në Kuvend. Ministri Hekurani Murati shpjegon se cilat do të jenë përfitimet nga ndryshimet ligjore.
Mirëpo, zyrtarët komunal kanë kërkuar që faljen e 100 eurove ta mbulojë niveli qendror në mënyrë që të mos dëmtohen komunat.
Në fund të marsit, ka kaluar në Kuvend propozimi për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Tatimin në Pronën.























