Osmani: Kosova e përkushtuar të punojë ngushtë me WCO-në
M.Sh/RTKlive
Kosova është e gatshme të bashkëpunojë me Organizatës Botërore të Doganave (WCO) në arritjen e standardeve më të larta ndërkombëtare në operacionet e saj doganore, duke përfshirë ngritjen e kapaciteteve të zyrtarëve të saj doganor dhe përdorimin e teknologjisë. Kështu deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë një takimi që zhvilloi me sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Doganave, Kunio Mikuriya.
Në këtë takim, Osmani ka theksuar se Kosova është e përkushtuar të punojë ngushtë me Organizatën Botërore të Doganave për partneritet në dobi të të dy palëve, rritje të performansës doganore nëpërmjet luftimit të kontrabandës dhe lehtësimeve tregtare.
Kosova, sipas presidentes Osmani, ka arritur ta rrisë mbledhjen e të hyrave tatimore dhe doganore, teksa agjencitë e rendit, përfshirë Doganën e Kosovës, kanë kryer me sukses operacione të mëdha kundër kontrabandës në të gjithë territorin e shtetit.
Në takim me sekretarin e përgjithshëm të Organizatës Botërore të Doganave, presidentja Osmani ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar për t'u bërë kampion rajonal për sundimin e ligjit dhe ka përmendur se po zbatohen reformat që rrjedhin nga direktivat përkatëse të BE-së.























