Vuçiq nga avioni flet për gjak, akuzon Kurtin për fushatë ndaj Serbisë
Jeton Musliu/RTKlive
Gjatë fluturimit nga Beogradi për në Bruksel, për takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me ndërmjetësimin e Josep Borrell, shefit të BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri si dhe Emisarit për Dialogun, Miroslav Lajçak, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq,ka publikuar një video mesazh në instagram.
Në atë mesazh drejtuar qytetarëve të tij, ai ankohet se do të ketë takim të vështirë. Përveç kësaj, ai shprehet se të gjithë janë kundër Serbisë.
Në këtë fjalim i cili më shumë ngjan në luajtjen e një roli të viktimës, ndonëse është ditur se do të bisedohet për draft statutin e Asociacionit të cilin Serbia ka vite që e kërkon, Vuçiq pretendon se ligji e drejtësia janë në anën e Serbisë.
“Do të jetë e vështirë”, thotë Vuçiq. “Të gjithë të mëdhenjtë në Perëndim janë kundër nesh”, ankohet ai. “Megjithatë, ligji dhe drejtësia janë në anën tonë”.
Ai më tej fjalimin e tij e vazhdon duke thënë fjalë të mëdha si liria, dashuria e presioni.
“Edhe më e rëndësishme se kaq, ata nuk e kuptojnë se sa e fortë është dashuria për lirinë dhe sa e fort dhe fort mund ta ruash atë, me gjithë presionet”.
Presidenti i Serbisë ankohet më tej në kryeministrin e Kosovës. Ai pretendon se kryeministri Kurti kanë zhvilluar fushatë brutale ndaj Serbisë.
“Prej disa ditësh, sidomos dje dhe sot, Albin Kurti dhe të tjerët kanë zhvilluar një fushatë brutale dhe të pistë kundër Serbisë”, tha ai. “Në to përfshiheshin të gjithë – nga Shaip Kamberi, Azem Vllasi, të gjithë analistë dhe politikanë”.
Derisa flet në këtë video të xhiruar në avion, e ku mban një qëndrim sikur një person që ka shumë presion si dhe me shikim të përhumbur, Vuçiq flet për luftën. Por, paradoksalisht, ai thotë se Serbia luftoi për liri.
“Ata kërcënojnë Serbinë dhe kujtojnë disa kohë të vjetra, flasin për luftën e tyre për liri, duke harruar se serbët luftuan për liri, jo vetëm kundër terroristëve, por edhe kundër agresorëve të NATO-s”, thotë ai.
“Gjaku i derdhur nuk kthehet, gjaku i derdhur për liri nuk kthehet, nuk duhet harruar. Rroftë Serbia, nuk ka dorëzim”.
Vuçiq para takimit me Kurtin, ankohet nga avioni: Perëndimi kundër Serbisë!
Derisa në orën 18:00 në Bruksel, me ndërmjetësimin e emisarit për dialogun, Miroslav Lajçak, ky proces do të vazhdojë me takimin e sotëm të nivelit të lartë, Kosovë-Serbi, përkatësisht kryeministrit Albin Kurti e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritjet e Beogradit zyrtar duken të mos jenë të mëdha.
Korrespondentja e RTK-së nga Beogradi, Anamari Repiq, në lidhje të drejtpërdrejtë nga Beogradi, në emisionin “Info Plus” në RTK, deklaroi se ka pasur reagime, pritje e vlerësime të ndryshme për këtë takim.
“Beogradi zyrtar nuk ka pritje të mëdha nga takimi, përveç që ka kërkesa për Asociacionin dhe kritikat ndaj Kurtit”, tha Repiq.
Ajo shtoi se Serbia kërkon përparim në lidhje me Asociacionin, si obligim i rënë dakord në marrëveshjen e Brukselit.
Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar në një video të postuar në instagram, derisa ishte në avion drejt Brukselit, se ky takim do të jetë i vështirë sepse sipas tij, perëndimi është kundër Serbisë.
Megjithatë, sipas Vuçiqit, ai është sonte në Bruksel që të diskutojë për Asociacionin.
E në anën tjetër, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka folur në prag takimit të 2 majit në Bruksel mes Kosovës e Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së.
Ajo ka thënë se nuk ka pritshmëri nga ky takim sepse nuk sheh qëllimin e Kosovës për të zbatuar atë që është arritur dhjetë vjet më parë.
Sipas saj, Kosova qëllimisht po shkel marrëveshjen e Brukselit.
Në fakt, ajo që dihet është se Beogradi zyrtar ka deklaruar se nuk do të zbatojë asgjë nga marrëveshja e Ohrit, pa filluar të zbatohet marrëveshja për Asociacionin.
Madje, kushti për kthimin serbëve në institucione është krijimi i Asociacionit me kompetencat e arritura në marrëveshjen e Brukselit.
Në anën tjetër, Vladimir Orliq, kryetar i Kuvendit të Serbisë ka thënë se nuk pret asgjë nga ky takim, por sipas tij, ajo që Beogradi do të insistojë është formimi i Asociacionit.
Ndërkohë, korrespondentja e RTK-së në Beograd, Anamari Repiq, raporton se analistët deklarojnë se ky dialog po ndodh pas rritjes së tensioneve Kosovë-Serbi, për shkak të zgjedhjeve në veri të Kosovës, të cilat u bojkotuan nga serbët atje.
Sipas saj, analistët presin që ky takim sotshëm të jetë i rëndësishëm, por prapë nuk ka shumë optimizëm.
Analistët e atjeshëm megjithatë deklarojnë se është me rëndësi që procesi i dialogut do të vazhdojë, e ku do të diskutohet një temë që është e rëndësishme për Beogradin zyrtar.























