Carlos Humberto Jhon: Model menaxhimi unik për parkun e Butrintit
atsh
Carlos Humberto Jhon i cili nisi punën si drejtor ekzekutiv i Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit, përmes një videoje të publikuar nga ministrja e Kulturës, Margariti, ka bërë prezantimin e tij për publikun.
Carlos Humberto Jhon, një specialist restaurimi dhe konservimi, me eksperienca në vende si Italia, Spanja, Peruja e Guatemala, tha se ndihet i nderuar për këtë mundësi, të cilën e konsideron si një sfidë të vërtetë e shumë të rëndësishme, jo vetëm nga këndvështrimi profesional por duke menduar për vizionin e përbashkët, për të gjitha ato që mund të bëhen për pasuritë kulturore dhe natyrore të një vendi si Shqipëria.
Drejtori i ri Ekzekutiv i Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit ka një përvojë e cila i ka lejuar të ketë një pamje të përgjithshme të problematikave të pasurive kulturore dhe natyrore që në këtë rast do trajtohen nga një Plan Menaxhimi i Integruar.
“Ky do të jetë udhërrëfyesi ynë për të ngritur një model menaxhimi që është unik dhe që është në radhë të parë modeli për t’u ndjekur dhe që mbahet si një referencë e rëndësishme, jo vetëm për Ballkanin por edhe në mbarë botën, sepse ka pasur pak raste ku janë trajtuar të gjitha vështirësitë teknike dhe sociale, ekonomike dhe financiare që ka Butrinti dhe parku i tij natyror” thotë Carlos Humberto Jhon.























