Aktakuzë për krime lufte për masakrën e Reçakut|Video
BKT
Lajme

Aktakuzë për krime lufte për masakrën e Reçakut|Video

Donika Sherifi/ RTK

Për herë të parë drejtësia në vend, pas 24 vjetësh, ka paraqitur aktakuzë ndaj një personi që dyshohet për përfshirje në njërën ndër masakrat më të tmerrshme që ndodhi në Kosovë, në masakrën e Reçakut. Në aktakuzën e siguruar nga RTK, përshkruhet e gjithë ngjarja, ku i akuzuari dyshohet se ka vrarë civilë shqiptarë edhe nga afërsia.

Për më shumë hollësi nga kjo aktakuzë për RTK-në ka folur edhe prokurorja në Prokurorinë Speciale, Habibe Statovci-Salihi.

24 vjet pas masakrës së tmerrshme të Reçakut, drejtësia kosovare ka marrë një vendim që ngjall shpresë për zbardhjen e krimeve të 15 janarit të vitit 1999.

Prokuroria Speciale e Kosovës të enjten ka paraqitur aktakuzën e parë për këtë masakër, ndaj të dyshuarit Ç. A për krime kundër popullatës civile. Prokurorja në Prokurorinë Speciale, Habibe Statovci-Salihi, në një deklaratë për RTK-në, tregon se hetimet për këtë aktakuzë që do të jetë e para për masakrën e Reçakut, nisën në vitin 2019 fillimisht për djegie të shtëpive, por që rezultuan me hetime për vrasje.

“Kemi dëshmitarë të mjaftueshëm, sidomos e kemi një dëshmitar i cili drejtpërsëdrejti ka pa kur i akuzuari ka ndal qytetarin nga fshati në Shtime dhe ka pa drejtpërdrejt të akuzuarin i cili ia ka drejtua armën, po ashtu duke pas parasysh se atë kohë ka qenë situatë e jashtëzakonshme, është bërë varrimi i këtij qytetari dhe në varrin e këtij qytetari e ka vendos një shishe personalisht dëshmitari dhe në brendësinë e shishes e ka përshkrua se kush e ka vra”, ka thënë Statovci-Salihi.

Ajo tha se i akuzuari është njoftuar për aktakuzën, por që ende nuk i është përgjigjur asaj.

“Duke pas parasysh se kemi sigurua informata të mjaftueshme se ky pas luftës në Kosovë e ka bërë shitjen e pasurisë së tij, kemi sigurua adresën e tij, i njëjti jeton në Serbi, kemi dërgua përmes bashkëpunimit juridik ndërkombëtar ftesë, por duke marrë parasysh raportet që kemi me Serbinë nuk ka ardhur. Kemi dëshmitarë të mjaftueshëm, të cilët e vërtetojnë se i njëjti ka marrë pjesë në vrasjen e 8 personave”, ka thënë prokurorja Statovci-Salihi.

Në aktakuzën e siguruar nga RTK, thuhet se Ç. A më 15 janar të vitit 1999, në fshatin Reçak, ka shkaktuar vuajtje të mëdha, apo cenim të integritetit trupor ose të shëndetit, frikësim ndaj  popullatës civile, vrasje e urdhërim për zhvendosje të popullatës civile.

Në aktakuzë shkruan se i njëjti, në fillim të muajit prill 1999, në bashkëveprim me persona të tjerë kriminalë, në pikën ?Kodra e Gështenjave? që ndodhet në pjesën mes Shtimes dhe fshatrave Mollopolc, Reçak e Petrovë, bashkë me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, fillimisht kishin urdhëruar dëbimin e banorëve. Pas kësaj, ai me të tjerët, ka marrë pjesë në djegien e shtëpive të vëllezërve R.J, S.J, R.J dhe H.J në Shtime.

Sipas aktakuzës, i akuzuari i njëjtë me 13 e 14 maj 1999, në vendin e quajtur “Lugu i Neshës” Në fshatin Petrovë të Shtimes, në bashkëveprim me persona të veshur me uniforma policore e paramilitare serbe, kanë kryer dëbime, vrasje e frikësime të popullatës civile shqiptare.

Ai ngarkohet për vrasjen e H.H, i strehuar në mal bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes së tij, si i dëbuar me forcë nga ushtria e paramilitarët serbë.

Gjithashtu, Ç. A akuzohet se me 15 janar 1999 në fshatin Reçak të Shtimes, në bashkëpunim, ka marrë pjesë në vrasjen e personave civilë shqiptarë që nuk kanë qenë drejtpërdrejtë të përfshirë në konflikt apo luftë. Kështu, sipas aktakuzës, ai ka marrë pjesë drejtpërdrejt në vrasjen e shqiptarëve H.B, H.M, S.M, A.M, A.M, S.M, S.H dhe H.M.


MË SHUME NGA Lajme