Napoli dhe Rrahmani fitojnë titullin në Itali
Uran Krasniqi / RTKLive
Barazimi përballë Udineses e ka bërë Napolin kampion në Itali, duke i dhënë fund një pritje tridhjetë e tre vjeçare për titull.
Në skuadrën e qytetit të Napolit luan edhe futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani. Madje Rrahmani në këtë edicion ka qenë një titullar i padiskutueshëm i Napolit.
Në ndeshjen e të enjtes rezultati ka qenë 1-1, por pika e fituar e lartëson Napolin në nivelin e tetëdhjetë pikëve, çka Lazio e vendit të dytë ka gjashtëmbëdhjetë më pak, dhe teorikisht pas ndeshjeve të mbetura nuk ka asnjë shans që ta rrezikojë Napolin.
Ishin fillimisht vendasit që kaluan në epërsi me anë të Lovric në minutën e trembëdhjetë.
Në pjesën e dytë, sulmuesi afrikan, Victor Osimhen, ka realizuar për ta barazuar rezultatin, të mjaftueshëm për skuadrën e Luciano Spalletit për ta prekur suksesin.
Kjo është "Scudetto" e parë e Napolit që nga epoka e Diego Armando Maradonës në vitin 1990.























