Përfundon saga e licencimit të FFK-së, ministri Çeku nënshkruan vendimin
B. H. | RTKlive
Federata e Futbollit e Kosovës e ka përmbyllur procesin e stërzgjatur të licencimit nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sipas udhëzimit të ri administrativ për licencimin e federatave, ka njoftuar shtëpia e futbollit kosovar.
“Ministri i Sportit, Hajrulla Çeku, sot, e ka nënshkruar vendimin për licencimin e FFK-së, bazuar në rekomandimin e Komisionit për Licencimin e Federatave Sportive (KVLFS). Ashtu sikurse edhe federatat tjera sportive të cilat ishin të përfshira në këtë proces, edhe FFK pas plotësimit të të gjitha kritereve dhe kushteve të kërkuara, është licencuar për ciklin aktual olimpik”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Tutje theksohet se ‘duke pasur parasysh se FFK është organizata më e madhe sportive në vend dhe me numrin më të madh të klubeve, ky proces ka marrë kohë të konsiderueshme deri te përmbyllja e licencimit’.
“Por pas një angazhimi të madh të administratës së FFK-së, klubeve dhe ministrisë është arritur të plotësohen kushtet për licencim”, thuhet tutje në njoftimin e shtëpisë së futbollit kosovar.
FFK ka përgëzuar zyrën e sekretarit me administratën, si dhe të gjitha klubet që “kanë punuar me përkushtim në këtë proces të ngarkuar dhe me kushte specifike”.
“Përmbyllja e këtij procesi tregon se FFK është duke punuar drejt standardit më të lartë të menaxhimit dhe transparencës si në federatë, ashtu edhe në klube”, thekson në fund njoftimi i FFK-së.
Si pasojë e ngecjes së procesit të licencimit, klubet nuk kanë arritur të marrin asnjë vërtetim për të përfituar nga Ligji i Sponsorizimeve. Federatat dhe klubet sportive, e veçmas ato të futbollit, burimin kryesor të të hyrave e kanë nga sponsorët. Ligji ka hyrë në fuqi që më 13 janar të vitit 2017, ndërsa ka nisur të aplikohet vetëm në vitin 2020. Drejtuesit e FFK-së dhe të klubeve kanë shprehur shpresën se klubet nuk do të dëmtohen nga vendimi i vonuar për licencim dhe se ato do të rimbursohen për periudhën 1 janar – 31 mars, ndonëse atyre nuk iu kanë lëshuar vërtetimet e sponsorizimit.























