De Laurentiis: Tani duhet ta fitojmë Ligën e Kampionëve
B. H. | RTKlive
Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis është i bindur se klubi i tij do të fokusohet në Ligën e Kampionëve, pasi fitoi Scudetton e tyre të parë pas 33 vjetësh.
Ai ka fajësuar UEFA-në për eliminimin nga Liga e Kampionëve në këtë edicion, duke thënë se "UEFA bëri pjesën e vet" në eliminimin e Napolit në çerekfinale ndaj rivalëve italianë AC Milan.
“Kur mbërrita në Napoli, thashë që në 10 vitet e para do t'ju çoja në Evropë dhe këtë e bëra më herët. E thashë gjithashtu që për 10 vitet e dyta do të fitojmë Scudetton, edhe këtë e përfundova dy vjet më herët. Tani po fillojmë një epokë të re dhe do të shkojmë drejt një fitoreje të re. Tani do të duhet të fitojmë Ligën e Kampionëve, sepse mendoj se ishim më të fortët atje, por gjyqtarët nuk ishin më të mirët dy herë. Ky është futbolli, kjo është UEFA, kjo është bota. Ne do të provojmë përsëri”, tha De Laurentiis.























