Dënimet në mungesë|Video
Arlinda Sejda/ RTK
Prokuroria Speciale e Kosovës, para disa ditësh ka ngritur edhe një aktakuzë në mungesë të të akuzuarit, që ka të bëjë me dyshimet për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë. I akuzuari kishte qenë pjesëtar i forcave rezervë ushtarake të Serbisë, në kohën e luftës në Kosovë.
Ndonëse kjo formë e kërkimit të drejtësisë shihet si sfidë, njohësit juridikë vlerësojnë se Serbia kurdo që hyn në Bashkimin Evropian duhet t’ia dorëzojë Kosovës këta të akuzuar. Kosova, aktualisht, me ngritjen e aktakuzave në mungesë, këtë procedurë e kryen përmes UNMIK-ut.
Të padënuara kanë mbetur krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, nga paramilitarët e ushtarakët serbë, të kryera mbi popullatën civile shqiptare.
Më 2 maj, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë në mungesë të të akuzuarit. Personi me inicialet D.R, është i dyshuar se ka dhunuar seksualisht një grua gjatë luftës në Kosovë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, kjo është aktakuza e parë e këtij lloji në mungesë pasi “janë shterur të gjitha përpjekjet për ta gjetur të akuzuarin”.
Avokati Arianit Koci tha se nëse për të akuzuarit në mungesë, vërtetohet për kryerje të veprës penale dhe ata dënohen, Serbia kurdo që hyn në Bashkimin Evropian, duhet t'ia dorëzojë Kosovës.
"Me faktin që është ngritë aktakuza , kjo procedurë do të ecë tutje dhe nëse merret aktgjykim dënues , dhe nëse ai aktgjykim vërtetohet kurdo që del prej Serbisë personi i cili është i dënuar , do të arrestohet dhe do të sillet në Kosovë , i njëjti ka të drejtë të kërkojë rigjykim në prezencë të tij, në çfarëdo forme edhe nëse nuk do ta vuajnë dënimin do ta kenë një lloj dënimi sepse do të jenë të mbyllur brenda Serbisë”, Arianit Koci, avokat.
Nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, thanë se një praktikë e tillë është duke u zbatuar edhe nga Kroacia.
"Kroacia ka qenë e obliguar që të krijon një ligj që t'i revidojë të gjitha rastet e procesuara në mungesë dhe më shumë se 60 për qind të këtyre rasteve kanë marr epilog tjetër, nëse në fillim kanë qenë raste dënuese, pastaj Kroacia është dashur t'i lirojë ata persona për arsye se nuk i ka zbatuar standardet strikte të cilat janë të parashikuara nga gjykata e Strasburgut”, tha Amer Alija, Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë.
Me ngritjen e këtyre aktakuzave, ligji parasheh publikimin e aktakuzës dhe ftesës në ueb-faqet zyrtare të prokurorisë dhe gjykatës. Procedimi i këtyre rasteve, sipas ligjit në fuqi, nuk parashikon afatin nga ngritja e aktakuzës deri në fillimin e shqyrtimit kryesor, por trupi gjykues vlerëson nëse prokuroria i ka shterur të gjitha mjetet për ta siguruar të pandehurin dhe mund të fillojë gjykimin në mungesë për të pandehurin.























