Reagon Infantino për rastin e Vllahoviçit
RTSH
Pas incidentit të ndodhur në ndeshjen Atalanta-Juventus, në `rastin Vlahovic` që solli edhe ndalimin për një minutë të ndeshjes, ka reaguar edhe Gianni Infantino, presidenti i FIFA-s.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ai dënon ashpër thirrjet rraciste të bëra nga tifozët e Atalantës në stadiumin e Bergamos: "Në futboll nuk ka vend për rracizëm apo ndonjë formë tjetër diskriminimi - thuhet në postimin e kreut të FIFA-s. – Eshtë krejtësisht e papranueshme fyerja rraciste e tifozëve të Atalantës ndaj Dushan Vlahovicit, sulmuesit të Juventus, gjatë ndeshjes së javës së fundit të Serisë A".
"Ky nuk është një episod i izoluar dhe kërkoj nga autoritetet përkatëse që të garantojnë zbatimin e sanksioneve të ashpra për t'iu kundërvënë episodeve të tilla dhe të veprojnë për t’i ndalur – vazhdon Infantino. - FIFA dhe unë jemi përkrah Dushan Vlahovicit, kështu si ndaj çdo lojtari tjetër, trajner apo zyrtar i ndeshjes, mbështetës ose pjesëmarrës në një ndeshje futbolli, i cili i është nënshtruar diskriminimit rracist ose çdo forme tjetër fyerjeje”. Mesazhi i Infantino mbyllet me fjalinë e shkruar me gërma të mëdha: “Jo rracizmit një herë e përgjithmonë. Jo çdo forme të diskriminimit”.























