Kurti ka takuar zv.presidenten e Bankës Evropiane për Investime, Pavlova
BKT
Lajme

Kurti ka takuar zv.presidenten e Bankës Evropiane për Investime, Pavlova

F.S / RTKlive

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur sot Zëvendëspresidenten e Bankës Evropiane për Investime (EIB), Lilyana Pavlova.

Përmes një njoftimi për media nga Qeveria e Kosovës, thuhet se krahas bashkëpunimit të deritanishëm dhe projekteve ekzistuese, në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin në të ardhmen, sidomos në fushat prioritare të Qeverisë, si ajo e energjisë, arsimit dhe shëndetësisë, në të cilat EIB mund të japë mbështetje përmes financimit.

Kryeministri Kurti, sipas njoftimit, shprehu mirënjohjen e tij për rolin dhe kontributin e Bankës Evropiane për Investime në zhvillimin e vendeve, duke e cilësuar atë si partnere të rëndësishme. Në 10 vitet e fundit, ky institucion financiar ka ofruar mbështetje me vlerë 241 milionë euro në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Përveç tjerash, në takim kryeministri gjithashtu foli edhe për Fondin Sovran, i cili u prezantua gjatë fundjavës që lamë pas.

Me këtë rast, sipas njoftimit, Zëvendëspresidentja Pavlova shprehu gatishmërinë e EIB për të mbështetur Qeverinë në këtë nismë.

Ajo gjithashtu theksoi faktin dhe rëndësinë për ta që Kosova ka një qeveri të qëndrueshme, pozitën e mirë makrofinanciare të saj dhe politikat e duhura fiskale që ka ndërmarrë Qeveria.

Zëvendëspresidentja, Lilyana Pavlova po qëndron në Kosovë për të marrë pjesë në konferencën Vienna Economic Talks që u mbajt sot për herë të parë në Prishtinë.

Ajo ishte folëse kryesore në sesionin e dytë ku u diskutua për investimet e qëndrueshme në kohë krizash dhe në mjedis të fragmentarizuar, në të cilin pjesë e panelit ishin edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

 


MË SHUME NGA Lajme