Presidentja: Brenda javësh, Serbia shkeli tetë herë marrëveshjet e fundit
Jeton Musliu/RTKlive
(Plotësuar) Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, gjatë intervistës në Këshillin Atlantik, foli edhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, për të cilin tha se është shumë i rëndësishëm.
Ajo tha se qëllimi kryesor është njohja reciproke e cila duhet të jetë në qendër të marrëveshjes. Presidentja tha se shprehja e normalizimit të marrëdhënieve përdoret nga BE për shkak të qëndrimit të tyre neutral ndaj statusit të Kosovës.
Megjithatë, presidentja Osmani-Sadriu u shpreh se derisa qëllimi është për të normalizuar marrëdhëniet, kjo nuk duhet të shërbejë për të “normalizuar Vuçiqin”.
“Kjo në kuptimin që ai të bëhet një liderë pro-evropian, e që nuk është”, tha Osmani-Sadriu, në këtë intervistë.
Për më tepër, Presidentja e Kosovës tha se duhet bërë të qartë se kemi të bëjmë me një autokrat, që vepron si autokrat e flet si autokrat.
“Autokrat bazuar në të gjitha standardet dhe bazuar në veprimet e tij”, tha Presidentja.
Ajo rikujtoi e Kosova ka të bëjë me një vend si Serbia që nuk ka kërkuar kurrë falje për gjenocidin që ka kryer, përkundër që në të njëjtën kohë, Kosova ka zgjatur dorën e bashkëpunimit, e të jetë jashtëzakonisht konstruktive dhe e përfshirë.
“Nëse duhet ftuar dikë në mënyrë të veçantë që të jetë e përfshirë atëherë është Serbia”.
Presidentja rikujtoi e janë nënshkruar deri më tani rreth 40 marrëveshje në Bruksel dhe lista e shkeljeve të këtyre marrëveshjeve të kryera nga Serbia, tha se është shumë e gjatë.
“Edhe vazhdon. Vetëm në javët e fundit, ata kanë kryer tetë shkelje nga marrëveshjet e fundit të arritura në mars e prill”.
Ajo rikujtoi se përpjekja e tyre për ta shndërruar një pikë të marrëveshjes si më të rëndësishme sesa një tjetër,është jashtëzakonisht e rrezikshme që dialogu të lëvizë përpara.
Presidentja tha se nuk duhet rënë në kurthin e Vuçiqit e që është vetëm zvarritja dhe stërzgjatja e procesit të dialogut.
“Ashtu siç shihet edhe në marrëveshje, secila pikë e saj është barabartë e rëndësishme dhe secila pikë e marrëveshjes duhet që në mënyrë të pavarur të zbatohet”, tha Osmani-Sadriu.
Sa i përket draft statusit për Asociacionit të propozuar nga Ekipi Menaxhues, të cilin ajo e quajti “model për Republikë serbe plus”, Osmani-Sadriu u shpreh se Serbia në të vërtetë nuk shqetësohet për të drejtat e komunitetit serb por shqetësohet që ta ketë një instrument me të cilin do të sfidonte sovranitetin e Kosovës.
“Kurse vizioni i propozuar nga qeveria e Kosovës janë në fakt parametrat dhe principet e përgjithshme mbi të cilin statuti duhet të bazohet që në tërësi është në përputhje me Kushtetutën dhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 dhe qëndrimit të shkruar e publikuar nga Chollet e Escobar”.
Ajo tha se si Presidente po bën gjithçka që është e mundur që serbët e Kosovës të ndihen të sigurt dhe ajo u shërben të gjithëve. Megjithatë, Osmani-Sadriu rikujtoi se janë grupet kriminale serbe që janë edhe në listën e zezë amerikane që po i kërcënojnë ata.

Presidentja: Marrëveshjet në Bruksel e Ohër, kanë një garanci ushtarake
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, gjatë intervistës në Këshillin Atlantik, foli edhe hapat e ardhëm të Kosovë, e cila nga konsumuese e paqes, është shndërruar në eksportuese të paqes, me tripat e saj ushtarake të dislokuara në Lindje të mesme apo Ishujt Falkland.
“Na duhet mbështetje e plotë politike. Na duhet që SHBA të luajë rolin udhëheqës që të sigurohet se Kosova do ta zë vendin e merituar në NATO”, tha Osmani-Sadriu në këtë intervistë.
Ajo u shpreh se jo vetëm duke folur, por edhe duke argumentuar janë duke punuar që të dëshmojnë se Kosova është gati që të përfshihet në Partneritetin për Paqe të NATO-s. “Kjo si një hap që do t’i paraprijë anëtarësimit të plotë në NATO”, tha ajo.
Osmani tha se është e vetëdijshme se procesi i anëtarësimit të Kosovës në BE është shumë më kompleks, si në aspektin politik ashtu edhe në atë teknik dhe prandaj do të zgjasë më shumë.
“Kur është puna tek anëtarësimi në NATO, kur ushtarakisht jeni gati, dhe arrini kriteret e NATO-s, mbi të gjitha është çështje politike sepse duhet të kesh mbështetjen politike të aleatëve”, tha presidentja e Kosovës, duke rikujtuar se SHBA, jo vetëm që është vendi më i madh, por edhe më aleati më i rëndësishëm në NATO që ka Kosova.
“Shpresoj se do të ketë rritje të vëmendje kur vjen çështja tek mirëkuptimi se sa më shumë vende të rajonit të jenë në NATO, aq më i sigurt është rajoni”, tha Osmani-Sadriu, e cila shtoi se kur në NATO kanë hyrë Maqedonia e Veriut, Shqipëria e Mali i Zi, atëherë është ngritur niveli i sigurisë në tërë rajonin.
“Mendoj se kur Kosova dhe Bosnje e Hercegovina do të anëtarësohen, do të ketë efekt pozitiv më të gjerë sesa kufijtë tanë”.
Ajo tha se në Kosovë, NATO ka praninë e vet dhe më të, institucionet e vendit bashkëpunojnë dhe kanë koordinim të plotë. “Por kemi nevojë për hapa të tjerë përpara drejt Partneritetit për paqe”, tha presidentja.
Ajo u shpreh se paradoksi është se deri para disa muajsh, Bjellorusia e Lukashenkos ishte pjesë e ‘Partneritetit për Paqe’, e Serbia është gjithashtu, ndonëse rikujtoi se ata (Serbia v.j) nuk duan të anëtarësohen në NATO e këtë madje e thonë hapur.
“Derisa Kosova, vendi më pro NATO, jo vetëm me fjalë, nuk i është dhënë ende kjo mundësi”, tha Presidentja e Republikës.
Ajo u shpreh se i kupton disa shtete hezituese, por mund të përdoret shembulli kur Kosova ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, kur një artikull i veçantë i bën vendet mos njohëse të ndjehen rehat, sepse specifikon se nuk paragjykohet qëndrimi i tyre nacional, por ët cilat unanimisht kanë votuar pro.
Për më tepër, Osmani-Sadriu tha se si pjesë e dialogut me Serbinë, Kosova ka marrë garanci nga partnerët se nëse do të pranohen marrëveshjet në Bruksel e Ohër, një nga çështjet në të cilat do të merret mbështetje e madhe do të jetë në mënyrë të veçantë pjesëmarrja në ‘Partneritetin për Paqe’ e më vonë edhe në NATO.
Presidentja: Roli i SHBA-së shumë më i gjerë sesa dialogu Kosovë-Serbi
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu deklaroi se ndodhet në vizitë zyrtare në SHBA, e përqendruar këtë herë kryesisht në Kongresin amerikan.
Gjatë intervistës në Këshillin Atlantik, ajo tha se do të marrë pjesë dhe do të jetë folëse mbi temën për ndryshimet klimatike.
Por ajo theksoi se takimet që ka pasur dhe do të jetë, tregojnë rëndësinë që ka për Kosovën, kjo aleancë me SHBA-në në këtë fazë dhe përgjatë historisë.
Presidentja theksoi e Kosova vazhdon të marrë mbështetje nga SHBA në shumë drejtime. “Ajo çfarë shikoni në media është kryesisht çështja e dialogut por marrëdhëniet tona janë shumë më të gjëra sesa çështja e dialogut Kosovë-Serbi”, u shpreh presidentja Osmani.
Ajo tha se mbështetja amerikane për Kosovën është si në aspektin ekonomik, zhvillimet politike, ngritjen e nivelit të mbrojtjes të të drejtave të njeriut, mbështetjen diplomatike për arritjen më shumë njohjeve e sigurisht dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.
“Sigurisht, ka gjithmonë vend për të bërë më shumë”, tha osmani, duke rikujtuar se çdo herë që shkon në Ëashington D.C, ka takime në Kongres, me të dy Dhomën dhe Senatin.
“Ata kanë rol të pazëvendësueshëm historik për tu siguruar që secila administratë të mbështesë Kosovën dhe Ballkanin perëndimor”, tha Osmani.
Në këtë rast ajo tha se është thelbësore në këtë situatë, roli i SHBA-së në rajon, derisa Rusia vazhdon të rrisë interesin e saj malinj për të destabilizuar Ballkanin perëndimor për shkak të qëllimit të saj për të destabilizuar vetë Evropën në tërësi.
(Lajmi në plotësim)

Presidentja Osmani diskutim në Këshillin Atlantik
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, po qëndron për vizitë në SHBA. Siç ka njoftuar Zyra për Medie e Presidencës, ajo sot do të marrë pjesë në një diskutim në Këshillin Atlantik.
Presidentja Osmani do të diskutojë në Këshillin Atlantik për sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor si rrjedhojë e ngjarjeve në Ukrainë.
Gjithashtu, ajo do të flasë edhe për zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë. Diskutimi mbahet sot dhe fillon në orën 15:00, sipas kohës lokale të Kosovës.
Transmetimi i drejtpërdrejtë në RTKlive mund të ndiqet në linkun më poshtë.
(Lajmi në plotësim)























