Inter bën hap të madh drejt Stambollit
Uran Krasniqi / RTKLive
Dy gola të dhënë në fillim të ndeshjes kundër Milanit kanë bërë që Inter të bëjë hap të madh drejt finales së Champions League e cila këtë vit do të zhvillohet në Stamboll.
Ndeshja e parë gjysmëfinale e zhvilluar në "San Siro" është mbyllur me fitoren e "zikaltërve". Rezultati ka qenë 0-2.
Skuadra e trajnerit Simone Inzaghi e ka nisur furishëm ndeshjen, ku Dzeko e ka gjetur golin qysh në minutën e tetë përmes një gjuajtje volej pasi paraprakisht ka pranuar topin nga nga Calhanoglu.
Pas vetëm katër minutave Inter ka ardhur edhe tek goli i dytë, kur Mkhitaryan është treguar i saktë nga afërsia.
Me epërsi prej dy golave është mbyllur edhe pjesa e parë.
Pjesa e dytë ka njohur përpjekje të dyanshme për ta ndryshuar rezultatin, por pa sukses.
Javën e ardhshme zhvillohet ndeshja e dytë mes dy skuadrave që vijnë nga i njëjti qytet dhe në dispozicion janë edhe nëntëdhjetë minuta të plotë për ta sqaruar finalistin i cili do të ndeshet me fituesin e ndeshjes Real Madrid - Manchester City.























