Lajçak: Ura e Ibrit nuk mund të hapet pa pajtimin e dy palëve
E. Avdiu& A. Berisha /RTK
(E plotësuar) I dërguari i posaçëm i BE për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka paralajmëruar një takim mes zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe të ashtuquajturit, shefit të zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Perkoviq, të hënën në Bruksel.
Ai ka thënë se me kryeministrin, Albin Kurti ka diskutuar për hapat e ardhshëm në dialogun me Serbinë, për çka ka thënë se presin normalizim të marrëdhënieve mes palëve.
“Erdha në Prishtinë për të diskutuar me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Bislimi për rrugën përpara në procesin e normalizimit pas takimit të 2 majit. Është e rëndësishme që e kuptojmë qartë sekuencën e hapave (që do të ndërmerren), kështu që patëm një diskutim të rëndësishëm në të gjitha aspektet. Unë do të kem të njëjtat diskutime nesër në Beograd”, tha Lajçak.
Në këtë takim ai tha para gazetarëve, se qëllimi i takimit ishte të krijohet një kuptim i qartë se si do të veprohet tani e tutje.
"Ne kemi Marrëveshjen, kemi Aneksin, ndaj duhet të kemi një kuptim të qartë të hapit të parë, hapit të dytë dhe hapit të tretë”, u shpreh ai. Ndërsa sa përket modelin kroat për Asociacionin, Lajçak tha se ajo që është e pranueshme për Bashkimin Evropian është diçka që bazohet në normat evropiane dhe vlerat evropiane”.
Pas takimit në Prishtinë, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka shkuar në Mitrovicë. Lajçak është pritur në takim nga kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza.
Pas takimit me kryetarin Hamza, sllovaku ka vazhduar në këmbë për në veriun e Mitrovicës. Në Shtëpinë e Evropës në veri, Lajçak po takohet me përfaqësues të shoqërisë civile.
Ndërkaq, gjatë kalimit në urën e Ibrit, ai tha se: “Ura nuk mund të hapet pa pajtimit e të dyja palëve dhe se kjo çështje duhet të diskutohet në Bruksel”.
Lajçak tha se gjatë ditës do te vizitojë edhe veriun, ndërsa për hapat tutje në dialog, të premten, do të takohet edhe me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Lajçak mbërrin në objektin e Qeverisë së Kosovës

(E plotësuar) Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka mbërritur në Qeverinë e Kosovës, ku do të takohet me kryeministrin Albin Kurti, raporton RTKlive.
Takimi është paralajmëruar të fillojë nga ora 07:30. Nga BE e kanë konfirmuar se vizita e tij ka të bëjë me hapat e ardhshëm ne kuadër te dialogut i cili ndërmjetësohet nga BE.
Pas Kosovës, Lajçak do të vizitojë të premten edhe Serbinë.


Lajçak sot në Kosovë, nesër në Serbi
N.Mekolli /RTKlive
Vetëm një javë pas takimit të nivelit të lartë mes Kosovës e Serbisë në Bruksel, sot (e enjte) vjen në Prishtinë, emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Emisari Lajçak, pas qëndrimit një ditësh në Kosovë, ku do të ketë takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të premten është konfirmuar se do të udhëtojë drejt Serbisë për takim në Beograd me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq.
Përveç takimeve me Kurtin e Vuçiq, Lajçak pritet të takohet dhe me kryenegociatorët, Besnik Bislimi e Petar Petkoviq, me qëllim të përgatitjes së takimit te radhës në nivel kryenegociatorësh.
Kjo vizitë vjen në kohë kur Qeveria e Kosovës shkarkoi nga detyra Ekipin menaxhues që hartoi draft statutin Asociacionit dhe replikave të forta mes zëdhënësit të BE-së, Peter Stanos dhe zyrtarëve kosovarë, në lidhje me këtë çështje.
Vizita e Lajçakut synon të përgatisë hapat e ardhshëm në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja, ka konfirmuar zëdhënësi i këtij institucioni, Peter Stano.























