Marcelo Bielsa do ta marrë drejtimin e Uruguait
BKT
Sport

Marcelo Bielsa do ta marrë drejtimin e Uruguait

B. H. | RTKlive

Argjentinasi Marcelo Bielsa do të marrë drejtimin e Kombëtares së futbollit të Uruguait. Ai do ta udhëheqë Uruguain të paktën deri në Kupën e Botës 2026, ka njoftuar Federata Uruguaiane e Futbollit (AUF).

“Kemi arritur marrëveshje, diferencat që kishim janë tejkaluar, tani mbetet vetëm nënshkrimi i kontratës”, ka konfirmuar anëtari i Bordit Ekzekutiv të AUF-së, Jorge Casales.

Në krye të ish-kampionëve të botës (1930, 1950), Bielsa do të pasojë uruguaianin Diego Alonso, i cili u largua nga posti pas eliminimit në fazën e grupeve të Kupës së Botës 2022.

Uruguai do të jetë kombëtarja e tretë që Bielsa do ta drejtojë në karrierën e tij. Ai drejtoi Argjentinën nga 1998 deri në 2004 dhe Kilin nga 2007 deri në 2011.

Puna e tij e fundit ishte te Leeds United, të cilin e drejtoi nga viti 2018 deri në shkurt 2022, teksa gjatë karrierës së tij ai drejtoi gjithashtu një numër klubesh, duke përfshirë Newell's Old Boys, Atlas, America, Velez Sarsfield, Espanyol, Athletic Bilbao, Marseille, Lazio, Lille.

Bielsa pritet të bëjë debutimin e tij në bankinën e Uruguait në qershor, në miqësoret kundër Nikaraguas dhe Kubës. Kualifikimet e Amerikës së Jugut për Kupën e Botës do të fillojnë në shtator.