Dita Botërore e Infermierëve/ Manastirliu: Rritje page me 150 dollarë 
BKT
Shqipëri

Dita Botërore e Infermierëve/ Manastirliu: Rritje page me 150 dollarë 

Në Ditën Botërore të Infermierëve, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu u shpreh se brenda prillit të 2024-ës do të rritet me 150 dollarë paga për infermierët.

Manastirliu së bashkë me Presidenten e Urdhrit të Infermierëve Blerina Duka dhe Kryetaren e Odës së Infermierëve të Kosovës, Nexhmije Gori, kanë marrë pjesë në një ceremoni, ku kanë shpërndarë çertifikatat e mirënjohjes dhe kanë vlerësuar figurën e infermierëve për kontributin e tyre në sistemin shëndetësor publik.

"Ne fuqizojmë figurën e profesionistit duke rritur pagat. Jemi krenarë që hartuam një plan, i cili projektoi rritjet e madhe për infermierët tanë, e cila do të realizohet në 2024, ku për të gjithë teknikët e shkencave mjekësore do të ketë një rritje page 150 dollarë dhe kjo rritje page do të bëhet realitet brenda prillit 2024. Gjithashtu për mjekët e përgjithshëm do ketë një rritje me 200 dollarë në muaj brenda prillit të vitit të ardhshëm", tha Manastirliu .

Ministrja tha se nga viti 2018 janë punësuar me meritokraci dhe transparencë mbi 5 mijë infermierë nëpërmjet portalit "Infermierë për Shqipërinë".

"Mundësuam që  nëpërmjet portalit "Infermierë për Shqipërinë" të kemi një punësim meritokratik, transparent, të drejtë për gjithë teknikët e Shkencave Mjekësore dhe prej fillimit të portalit dhe deri më sot ne kemi punësuar 5 mijë teknikë të Shkencave Mjekësore të cilët sot janë në sistemin publik. Duke përzgjedhur më të mirët kemi më shumë cilësi në shërbimin e ofruar. Aktualisht kemi një listë të pritjes së profesionistëve më shumë se 1900 infermierë, logopedistë, fizioterapeftë, apo teknik të shkencave të tjera mjekësore, të cilët janë pjesë e listës së pritjes së portalit. Vetëm nga janari deri tani që po flasim ne kemi punësuar mbi 550 profesionistë të shkencave teknike mjekësore", bëri me dije Manastirliu.


MË SHUME NGA Shqipëri