Abazi: Kryeministri Kurti nuk është transparent për dialogun me Serbinë
BKT
Lajme

Abazi: Kryeministri Kurti nuk është transparent për dialogun me Serbinë

Muharrem Miftari/RTKlive

Gjatë dy ditëve të fundit Kosovën e kanë vizituar diplomatë nga Bashkimi Evropian, emisari special nga BE për Dialogun, Mirosllav Lajçak, si dhe nga SHBA, Samanta Power, të cilët kanë kërkuar që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të bëhet sa më parë.

Për këto vizita të intensifikuara nga ndërkombëtarët, në magazinën “Lajmet e fundit", në RTK, deputeti Haki Abazi  vlerësoi se kanë qenë të pritshme dhe që, tanimë, do të ketë një rrjedhë tjetër në dakordimin e marrëveshjes në Bruksel, ngase, u shpreh ai, tani nuk flitet për marrëveshje legalisht të detyrueshme për normalizim e njohje, por tani po shihet se po shkohet drejt një normalizimi i atij pak normalizimi që ka ekzistuar, ose s’ka ekzistuar, sepse, siç tha ai, kemi barrikadim, si dhe kemi prolongime, zhagitje, blerjet të kohës nga të dyja palët.

E blerja e kohës nga pala kosovare, nga deputeti Abazi u konsiderua se Kurti e Bislimi nuk kanë pasur guxim për të thënë jo Asociacionit, ndërkohë që dikur është kundërshtuar nga vetë ata,  e që, sipas tij, është në fatkeqësinë e Kosovës, ngase jemi larg proceseve të normalizimit.

Abazi situatën e tanishme e vlerëson si situatë të tensionimit e të konfliktit.

 Ndërkaq për Asociacionin, Abazi theksoi se politika kosovare po fokusohet në një ngjarje, jo në procesin. "Jemi duke vrapuar pas qerres, pas procesit, nga kryeneqësia e mungesa e përvojës”, deklaroi Abazi, teksa shkarkimin e ekipit menaxhues, Abazi konsideroi se është reagim i vonshëm, dhe, për më tepër, Abazi theksoi se ai komision nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes, ku në vend të bënim platformën tonë, qeveria ka vazhduar si më parë, si qeveritë tjera.

Ndërkaq për idetë e Konjufcës për Asociacionin, Abazi tha se ai do të duhej të kujdesej për mbarëvajtjen e seancave në Kuvend, teksa përmendi një varg dobësish në seancat Parlamentare.

“Idetë e Konjufcës dhe premtimet e Kurtit janë më të lehta se 5 kg lesh”, tha Abazi, ndërsa kritikoi qasjen e kryeministrit Kurti për jotransparencë lidhur me dialogun me Serbinë dhe për çështje tjera.

Ai përmendi edhe marrëveshjet për investime, fjala vjen, projektin “Parku Solar” si një projekt, që Abazi e konsideron si të vonuar dhe, për më tepër, nuk ka informacion se për çfarë bëhet fjalë, nëse është energji, apo ngrohje termike.

Për vizitën e Power-it, deputeti Abazi tha se deklarata e saj kryesore ishte situata me dialogun me Serbinë e që për të kryesore mbetet pse Kurti pse nuk sqaron se çfarë po ndodhë.

“Hallin më të madh e kemi se jemi peng i këtij procesi, ku 5 përqindshi  përveç se kanë fuqinë e 2/3 të Parlamentit, ku asnjë ligj esencial nuk kalon pa votat e tyre në Parlamentin e Kosovës, tani kësaj i  shtohet edhe një pykë tjetër, që vështirëson funksionalizimin e shtetit”, deklaroi deputeti Abazi.

“Dialogu për Asociacionin nuk di se a do ta dridhë Qeverinë e Kosovës, por  koston e gabimeve e ka paguar secili kryeministër dhe që Kosovën e mbrojnë më së miri qytetarët e saj”, tha në fund të intervistës deputeti Abazi në “Lajmet e fundit”, në RTK.


MË SHUME NGA Lajme