Komuna nuk lëshon leje për numër të madh objektesh
BKT
Lajme

Komuna nuk lëshon leje për numër të madh objektesh

Ardiana Hajzeri|RadioKosovë

Janë numër i madh i ndërtesave në kryeqytet, për të cilat Komuna e Prishtinës nuk po lëshon lejet, përkatësisht certifikatat e përdorimit. Arkitektët po vlerësojnë se Komuna duhet të filloj ta zbatoj Ligjin për Legalizim dhe së bashku me blerësit ti padisin ndërtuesit të cilët nuk i kanë kryer obligimet e tyre. Ata po vlerësojnë se ndër faktorët kryesorë për këtë gjendje janë numri i vogël i inspektorëve të Komunës, por edhe mos-respektimi i kritereve nga ndërtuesit.

Edhe përkundër që komuna e Prishtinës për çdo vit lëshon numër të madh të lejeve të ndërtimit, lejet e përdorimit, përkatësisht pranimet teknike ende nuk janë lëshuar nga Komuna e Prishtinës. Në këtë mënyrë po dëmtohen qytetarët, pasi prona e blerë nuk mund të futet në hipotekë, vlerësojnë njohës të kësaj fushe. Në një përgjigje për Radio Kosovën, arkitekti, Valdet Osmani tha se Komuna e Prishtinës duhet të filloj ta zbatoj Ligjin për Legalizim. 

 

“Komuna e Prishtinës së pari duhet të filloj të zbatoj Ligjin për Legalizim i cili është aprovuar vitin e kaluar. Ky ligj duhet të zbatohet nga komuna e cila duhet të bëjë modelet e reja dhe promovimin e saj nëpër zona të ndryshme”, ka thënë Valdet Osmani.

  

Po ashtu, Osmani tha se dëmet për blerësit janë të mëdha andaj ata së bashku me Komunën duhet ti padisin ndërtuesit të cilët nuk i kanë kryer obligimet e tyre.

 

“Dëmet për qytetarët janë shumë të mëdha, pasi ata kanë bërë investime, kanë blerë banesat dhe tash nuk  mund ta gëzojnë të drejtën e pronës. Pra, Komuna e Prishtinës se bashku më blerësit duhet të bëhen bashkë të bëjnë padi ndaj të gjithë atyre ndërtuesve të cilët nuk i kanë kryer obligimet ndaj blerësve”, tha Valdet Osmani

Edhe për arkitekten Jeta Gashi, mos kryerja e pranimit teknik është problem për të cilin duhet bërë zgjidhje sa me shpejt. Ajo i tha Radio Kosovës se njëri ndër faktorët është numri i vogël i inspektoreve dhe mos plotësimi i kushteve nga ana e ndërtuesve. 

“Ky është një problem shumë i madh në Komunën e Prishtinës edhe kërkon reagim shumë të shpejt. Edhe mundem me thënë që krejt kjo është si pasojë e numrit të vogël të inspektorëve dhe mos plotësimit të kushteve nga ana e ndërtuesve.” 

Edhe njohës tjerë të kësaj fushë vlerësojnë së shumë faktor kanë ndikuar që një numër i madh i banesave në Prishtinë të mos kenë pranim teknik. Njëri ndër ta, i cili aktualisht është në proces për të marrë lejet e përdorimit në kushte anonimitetit i tha Radio Kosovës se numri i vogël i inspektorëve për trajtimin e lëndëve, procedurat e shumta, kërkesat e stër-ngarkuara, mungesa financiare e investitorëve, mungesa e inxhiniereve nga kompanitë ndërtuese të cilët duhet t’i kenë së paku gjashtë, janë pengesat kryesore për të tu bërë pranimi teknik i banesave.  Në lidhje me këtë çështje, Radio Kosova  nuk ka arritur të marrë përgjigje nga Komuna e Prishtinës. Certifikata e përdorimit apo pranimi teknik, është një dokument i lëshuar nga organet kompetente të komunës me të cilën vërtetohet se ndërtimi është i përshtatshëm për përdorim dhe qytetarët mund të jetojnë aty. Pa pranim teknik, qytetarët nuk mund t’i regjistrojnë banesat e blera në kadastër dhe rrjedhimisht as nuk mund të futen në hipotekë.


MË SHUME NGA Lajme