Celibashi: 927 tentativa për votim të dyfishtë
BKT
Shqipëri

Celibashi: 927 tentativa për votim të dyfishtë

ATSH

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi bëri të ditur se deri tani janë verifikuar 927 tentativa për votim të dyfishtë, gjë që sipas tij, “tregon se sistemi ka funksionuar”.

Në një komunikim për mediet, Celibashi informoi se të dhënat i referohen 4497 qendrave të votimit të cilat përcjellin në kohë reale të dhëna në KQZ.

Në lidhje me denoncimet, ai theksoi se në total deri tani në KQZ kanë ardhur 29 denoncime, 4 denoncime nga subjektet zgjedhore për thyerje të heshtjes zgjedhore, 1 nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe 24 denoncime nga qytetarë të ndryshëm, përgjithësisht në bashkitë Tiranë, Elbasan, Durrës, Dropull, Kamzë, Konsipol, Lezhë, Peshkopi dhe Tropojë.

“Në referim të përmbajtjes së këtyre denoncimeve ato lidhen me parregullsi gjatë ushtrimit të detyrës nga ana e komisionerëve për korrupsion aktiv/pasiv në procesin e votimit, për prishjen e PEI-t, për intimidim të votuesve, për votim familjar si dhe për postime me përmbajtje elektorale në rrjetet sociale”, tha Celibashi.

Për sa i përket procesit të identifikimit dhe pjesëmarrjes, Celibashi tha se janë 998 633 votues të cilët janë identifikuar përmes pajisjes elektronike të votimit, potencialisht janë edhe votues.

Kjo sipas tij vetëm për ato qendra votimi që raportojnë vetëm përmes pajisjeve elektronike të identifikimit.

“93.86% e këtyre votuesve iu është marrë shenja e gishtit. Pjesa tjetër janë identifikuar thjesht përmes leximit të kartës, por nuk janë marrë shenjat e gishtit. 14 654 votues kanë votuar për herë të parë deri tani. Janë 56 554 votues për të cilët kërkimi i të dhënave është bërë manualisht, jo përmes kartës së identitetit”, tha Celibashi.


MË SHUME NGA Shqipëri