Elezi: Nga vëzhgimi i zgjedhjeve do të kemi raport për nevoja të KQZ-së
Fadil Sertolli / RTKlive
Procesin e zgjedhjeve lokale që u zhvillua sot në Shqipëri po e monitoron edhe një delegacion i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Kosova.
Zëdhënësi i KZQ-së, Valmir Elezi në një prononcim për RTK-në ka thënë se që nga dita e premte pasdite një delegacion i KQZ-së në përbërje të anëtarëve dhe stafit sekretariati të KQZ-së kemi ardhur në Shqipëri me qëllim për të përcjellë nga afër procesin zgjedhor.
“Para ditës së zgjedhjeve, pra procedurat të cilat janë kryer ditën e shtunë dhe sigurisht procesin zgjedhor ditën e sotme të zgjedhjeve. Do të jemi varësisht cila pjesë cila njësi është më e rëndësishme për të përcill ndonjë fazë të procesit zgjedhor dhe do të jemi pra deri ditën e martë për të përcjellë të gjithë procesin zgjedhor që zhvillohet këtu”, tha Elezi për RTK.
Sipas tij, qëllimi i kësaj vizite është në kuptimin më shumë studimor për të parë nga afër se si po zhvillohen procese segmente të caktuara të këtij procesi zgjedhor.
“Sa i përket zbatimit të teknologjisë informative në identifikimin elektronik të votuesve që zhvillohet në të gjithë republikën e Shqipërisë dhe pastaj të votimit elektronik që zhvillohet në tri bashki të këtij vendi dhe përveç kësaj në fokus të këtij procesi vëzhgues nga ana e KQZ-së është edhe përcjellja nga afër e procesit të numërimit të fletëvotimeve që zhvillohet pas ditës së zgjedhjeve”, tha Elezi.
Ai ka thënë se gjatë këtij procesi zgjedhor kanë edhe pse janë raportuar parregullsi të shumta për fillimin e procesit me vonesë, identifikimi elektronik ka shkaktuar mjaft telashe në disa zona të Shqipërisë.
“Roli i jonë nuk është për të parë se si po ecën i gjithë procesi zgjedhor, sepse qëllimi ynë është për të parë dhe më vonë për të pasur një raport për nevoja të KQZ-së”, tha Elezi.
Sipas tij në fokus të këtij vëzhgimi janë dy segmente, procesi zgjedhor dhe identifikimi elektronik i votuesve.
“E më pastaj procesi i numërimit të fletëvotimeve të gjitha këto gjetje që ne i hasim në terren t’i shërbejnë KQZ-së për të pasur një pasqyrë të përgjithshme lidhur me zhvillimin e aspekteve të ndryshme të procesit zgjedhor në një vend tjetër”, tha Elezi.























