Inzaghi: Jemi afër realizimit të ëndrrës
B. Halimi | RTKlive
Trajneri i Interit, Simone Inzaghi, është shprehur optimist para ndeshjes së rëndësishme kundër Milanit, në gjysmëfinalen e dytë të Ligës së Kampionëve.
Ai e konsideron këtë takim historik për skuadrën zikaltër dhe e di rëndësinë e kualifikimit në finalen e Stambollit.
“Kjo është një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e Interit. Ia kemi borxh vetes, klubit dhe tifozëve për t’u kualifikuar në finale. Kemi një epërsi të mirë, por duhet ta menaxhojmë lojën. Kemi punuar shumë gjatë këtyre 10 muajve dhe tani jemi afër realizimit të ëndrrës”, ka theksuar Inzaghi, skuadra e të cilit e fitoi ndeshjen e parë gjysmëfinale, me rezultat 2:0.
Në lidhje me strategjinë e lojës për këtë ndeshje, Inzaghi tha se ata duhet të jenë të mirë në mbulimin e fushës, pasi Milani ka lojtarë me cilësi të shkëlqyer dhe janë kampionë në fuqi të Italisë. Ai përmendi edhe rezultatin e ndeshjes së parë kundër Benfica-s në çerekfinale, duke e krahasuar situatën dhe theksoi se ata duhet të luajnë me të njëjtën përgjegjësi dhe angazhim.
Sa i përket formacionit që do të hedhë në fushë, Inzaghi tha se ka një ide në mendje, por do të vendosë gjithçka pas stërvitjes së fundit. Ai tha se ndeshja e fundit kundër Sassuolo-s i ka shpenzuar shumë në aspektin e energjisë, prandaj i duhet do të vlerësojë mirë para se të vendosë 11-shen titullare.























