Takimi ndërmjet Bislimit e Petkoviq, në Bruksel, përfundoi pa rezultat
M.Miftari/RTKlive
Takimi në nivel ryenegociatorësh në Bruksel ka përfunduar. Se çfarë rezultati dhe si kanë përfunduar këto takime, korrespondentja e RTK-së në Bruksel, Gjeraqina Tuhina, njoftoi se takimi përfundoi pa rezultat konkret, nga fakti se agjenda ka qenë fluide dhe nuk është pritur ndonjë arritje të marrëveshjeve që çojnë çështjet tutje.
Zëvendëskryeministri dhe, njëherësh, kryenegociator për dialogun Kosovë-Serbi, Besnik Bislimi, tha se ka pasur disa tema në axhendë e që kryesisht kanë pasur të bëjnë me dokumente gjatë vizitës që Mirosllav Lajçak ka zhvilluar të enjten e të premten.
Bislimi, siç njofton gazetarja Tuhina, tha se ka qenë një kohë e shkurtë për t’u analizuar secila nga ato dokumente.
Gjithnjë sipas njoftimit të gazetares Tuhina, Lajçak ka sjellë metodologjinë e zbatimit të deklaratës për çështjen e të pagjeturve, e cila është adoptuar në nivel të liderëve më 2 maj.
Tutje, ajo njoftoi se është trajtuar edhe çështja e Asociacionit, ku Lajçak ka sjellë një ide të re të zbatimit, por që pala kosovare nuk ka pasur kohë të mjaftueshme ta analizojë e të japë përgjigje rreth asaj, teksa pala serbe insiston që Asociacioni të formohet konform marrëveshje së arritur më 2013, përkatësisht 2015.
Por, sipas Bislimit, e rëndësishme ka qenë qasja e BE-së lidhur me draft-statutin e prezantuar më 2 maj, që, si Lajçak ashtu edhe Varhelyi, kanë vlerësuar draftin si bazë të mirë për të ecur më tutje, ndonëse Lajçak, sikundër thotë Bislimi, është sqaruar se paskësh qenë keqkuptim gjuhësor, ngase sipas Lajçakut, si pikënisje ka konsideruar nisja e bisedimit për këtë çështje drejt përpilimit të statutit të Asociacionit.
BE konsideron se ka mundësi që në veri të Kosovës mund të ketë përshkallëzim të situatës, para 28 majit, vlerësim me të cilin nuk pajtohet pala kosovare.























