Vijon numërimi në 8 bashkitë e fundit, PS në avantazh në 7 prej tyre
RTSH
Kanë mbetur edhe vetëm 8 bashki, nga 61 në total, ku ende vijon numërimi i votave për Këshillat Bashkiakë. Nuk ka përfunduar ende numërimi i votave në Tiranë, Durrës, Dibër, Kukës, Kavajë, Krujë, Kurbin dhe Malësi të Madhe, ndërsa ajo që bie në sy është përparësia e Partisë Socialiste në 7 prej këtyre bashkive.
Përkatësisht, në Tiranë PS ka mundur të marrë 34 mandate, ndjekur nga “Bashkë Fitojmë” me 16. PD ka deri më tani 4 mandate, 2 mandate ka marrë PSD, ndërsa PDIU, LZHK dhe PR kanë marrë nga 1 mandat.
Edhe në Durrës PS kryeson me 28 mandate, ndërsa “Bashkë Fitojmë” ka marrë deri më tani 13 mandate. Partia Demokratike ka siguruar 5 mandate, 3 i ka marrë PAA, ndërsa PSD dhe PDIU kanë marrë nga 1 mandat.
Në Dibër PS ka marrë 13 mandate, ndjekur nga PSD me 6 mandate, ndërsa “Bashkë Fitojmë” ka marrë 5 mandate. PD ka marrë vetëm 1 mandat dhe po kaq kanë marrë edhe PAA, PR, PLL, FRD, ADK dhe Astrit Ademi, i pavarur.
Edhe në Kukës PS kryeson me vota, por në numër mandatesh ka marrë 4, barabartë me PAA, ndërsa “Bashkë Fitojmë” ka marrë 3 mandate. PSD, ALD, PDIU dhe BD kanë siguruar nga 2 mandate në Kukës, teksa kanë marrë nga 1 mandat PLL, PSD, PD, LZHK, FRD, AD dhe PMDE.
Qytetarët e Kavajës ia besuan bashkinë “Bashkë Fitojmë”, por për Këshillin Bashkiak, shumicën po ia besojnë PS. Partia Socialiste ka marrë në Kavajë deri më tani 13 mandate, teksa “Bashkë Fitojmë” ka marrë 9. Kanë marrë nga 3 mandate PD dhe PAA, 2 mandate PSD dhe 1 mandat PR.
Edhe në Kurbin PS ka siguruar deri më tani shumicën e mandateve në Këshill, përkatësisht 8, ndërsa “Bashkë Fitojmë” ka marrë deri më tani 5 mandate. PSD ka marrë 3 mandate, ndërsa kanë marrë nga 2 mandate LZHK, PSD dhe PR. Partia Agrare Ambientaliste ka marrë vetëm 1 mandat.
Në Malësi të Madhe në avantazh është PSD me 8 mandate, ndjekur nga PS me 7, ndërsa “Bashkë Fitojmë” ka marrë 3 mandate. Po 3 mandate ka marrë edhe PAA, ndërsa kanë marrë nga 2 mandate LZHK, PD dhe AAK. Kanë marrë nga 1 mandat FRD, PKD, ADK dhe PASH.