Kurti bashkëbisedim me studentët e Vjenës: Kosova e përkushtuar për dialog
BKT
Foto: Qeveria e Kosovës
Lajme

Kurti bashkëbisedim me studentët e Vjenës: Kosova e përkushtuar për dialog

M.Shefkiu/RTKlive

Kryeministri Albin Kurti zhvilloi një bashkëbisedim me studentët e Akademisë Diplomatike të Vjenës, në ambientet e Fakultetit Filozofik në Prishtinë, të cilët i njoftoi për zhvillimet, sukseset dhe sfidat me të cilat është ballafaquar Kosova në vitet e fundit. Ai tha se për 15 vjetet e pavarësisë mund të konsiderohet një storje suksesi.

Derisa foli për 15- vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Kurti veçoi qëndrimin ambicioz të Qeverisë që ai udhëheqë ndaj reformave demokratike në të gjithë sektorët, veçanërisht sigurimin e një sistemi më të fortë të mirëqenies, forcimin e shtetit të së drejtës, mbrojtjen dhe përforcimin e të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtat e minoriteteve dhe rritjen e ekonomisë.

Ky progres, sipas tij, është njohur gjerësisht nga raporte të shumta ndërkombëtare, duke forcuar reputacionin e Kosovës si një histori suksesi në shtetin e demokracisë.Sa i përket dialogut me Serbinë ai tha se dialogu mbetet një rrugë jetike përpara për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura ndërmjet dy vendeve.

“Megjithatë, që ky dialog të jetë efektiv, të dyja palët duhet të respektojnë parimet më themelore të demokracisë dhe të Bashkimit Evropian...Ndërsa ecim përpara, Kosova mbetet e palëkundur në përkushtimin ndaj demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit”, ka thënë Kurti.

Kryeministri po ashtu foli edhe për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Ne kemi nisur 850 operacione antikrim në dy vjet, përfshirë në veri të vendit që ishte kthyer në një zonë vakumi të rendit dhe ligjit. Kemi ndjekur penalisht krimin brenda institucioneve publike, duke arrestuar mbi 300 zyrtarë publikë për sjellje të rënda kriminale. Efektiviteti i qasjes sonë në këtë fushë është konfirmuar edhe nga organizma prestigjioze ndërkombëtare. Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit i Transparency International e renditi Kosovën 20 vende më lart këtë vit se një vit më parë”, tha Kurti para studentëve.

Ai iu tha se studentëve se Kosova po përgatitet të aplikojmë për anëtarësim në NATO.

Kosova, siç tha Kurti, ka treguar vlerën e saj si një vend i besueshëm dhe i përkushtuar ndaj vlerave të përbashkëta euroatlantike dhe është e gatshme të fillojë të marrë pjesë si anëtare e këtij komuniteti. Kryeministri përmendi edhe ushtrimin “Defender Europe 23” që do të zhvillohet këtë muaj në të cilin 1365 ushtarë të FSK-së do të jenë nikoqir i ushtrive tjera.

Në këtë takim të kryeministrit Kurti me studentët nga Akademia Diplomatike e Vjenës, i pranishëm ishte edhe Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger.


MË SHUME NGA Lajme