Menendez pyet Chollet e Escobar: Përse vetëm Kosovës i bëhet presion?|Video
Jeton Musliu/RTKlive
(Plotësuar) Në Komitetin për Punë të Jashtme në Senatin Amerikan, po raportojnë të dy diplomatët e lartë amerikanë, që janë të ngarkuar për Evropën dhe Ballkanin Perëndimor.Ata janë këshilltari i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Derek Chollet, dhe Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Kryesuesi i Komitetit për Jashtëm në Senatin e SHBA-së, Bob Menendez, duke shtruar pyetje për diplomatët amerikanë, tha se po e sheh se Kosovës është vazhdimisht duke iu bërë presion për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në këtë kontekst, ai tha se ndaj Serbisë dhe presidentit Aleksandar Vuçiq, nuk po bëhet fare presion.
Në lidhje me këtë, Menendez ka kërkuar përgjigje nga këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe nga emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“Unë personalisht nuk besoj se kemi vepruar në frymë të njëjtë”, tha ai.
Sipas Menendez, në shkurt u arrit një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë me ndihmën e Brukselit.
“Menjëherë pas kësaj presidenti Vuçiq bëri deklarata publike, duke mos u pajtuar me përmbajtjen e marrëveshjes dhe refuzoi ta nënshkruante, pasi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës”, rikujtoi ai.
Sipas tij, Vuçiqi po luan lojën e zakonshme duke thënë një gjë për të vënë në lojë liderët e Perëndimit, e më pas thotë diçka tjetër para mediave serbe të kontrolluara nga shteti.
“Me kontrollin e mediave dhe shtypjen e shoqërisë civile, Vuçiq vazhdon të ndjekë narrativën e serbëve nacionalistë”, tha Menendez, duke shtuar se “Vuçiq tregon për vizionin e ‘Serbisë së madhe’, ngjashëm si Putini për ‘Rusinë e madhe”.
Madje, ai u shpreh se Vuçiq as nuk e ka fshehur lidhjen me Putinin.
“Ka udhëtuar në Moskë për tregti, refuzoi të vendoste sanksione ndaj Rusisë. Duam të shohim nga dëshmitarët cili është plani për të ecur para”, tha diplomati amerikan.
“Shoh se shumica e presionit i bëhet Kosovës për Asociacionin, që Kosova e ka pranuar këtë marrëveshje më herët”, tha ai.
“Por, më duket se nuk ka fare presion ndaj Beogradit, apo plan apo garanci se Asociacioni s’do të jetë një Republika Sërpska tjetër”.
Për më tepër, ai rikujtoi se po sheh pak presion ndaj liderit (Aleksandar Vuçiqit v.j). “Të cilin Neë York Times e portretizoi për lidhjet me botën e krimit të organizuar në Serbi”, tha Menendez.
Chollet: Ballkani Perëndimor, prioritet personal i presidentit Biden
Duke folur për zbatimin e marrëveshjeve mes Kosovës e Serbisë, Derek Chollet, këshilltar i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, u shpreh para Komitetit të Senatit për Punë të Jashtme se SHBA-ja, nuk po sheh implementim të madh të tyre.
Në mënyrë specifike ai foli për marrëveshjet e arritura nga Kosova dhe Serbia në Bruksel dhe në Ohër, e që ka të bëjë me planin e zbatimit të marrëveshjes bazë. Ai tha se asnjëra palë nuk po kryen zotimet e veta.
“Nuk kemi pasur zbatim nga asnjëra palë dhe për këtë, Escobar është shumë i përqendruar e madje ka folur edhe me Borrellin, e ku BE-ja është e përkushtuar”, tha Chollet, duke rikujtuar se duhet diplomaci intensive nga të dyja palët.
Teksa e cilësoi marrëveshjen si të obligueshme për të dy palët, ai ka thënë se SHBA-ja ka vlerësuar se në Serbi ka shumë korrupsion dhe se presidentit Aleksandar Vuçiqi është përgjegjës për këtë situatë.
“Megjithatë, korrupsioni s’është i izoluar në Serbi, por është pengesë edhe për tërë rajonin”, tha ai. Në lidhje me këtë çështje, ai tha se janë vënë sanksione për shumëkënd në rajon. “E kemi bërë shumë të qartë”, tha Chollet, duke shtuar se SHBA-ja e ka shtyrë përpara zbatimin e marrëveshjeve të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Chollet u shpreh se Kosova ka përkrahjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në aspiratat për integrim ndërkombëtar dhe pranimin në NATO e Bashkim Evropian.
Gjatë raportimit në Komitetin për Politikë të Jashtme në Senatin e SHBA-së, ai tha se për dialogun me Serbinë kërkohet guxim politik.
Sipas tij, Ballkani Perëndimor është prioritet për administratën e presidentit Joe Bidenit, mbi të gjitha edhe për faktin se kjo është edhe personale për shkak të lidhjes së presidentit me rajonin.
Megjithatë, ai e ka vlerësuar si jo të lehtë integrimin e rajonit duke përmendur liderët anti-demokratë, korrupsionin, sundimin e dobët të ligjit, pengesat ekonomike e ndikimin rus.
“Ballkani Perëndimor ka nevojë për ndihmën e SHBA-së”, tha ai, sipas të cilit, sfida kryesore për rajonin është dialogu Kosovë-Serbi.
“Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik. Është ndër aleatët më të afërt”, rikujtoi Chollet, duke rikujtuar se megjithatë, aspiratat evropiane për të dyja shtetet s’mund të bëhen realitet pa i zgjidhur dallimet.
Sfidë të dytë të rajonit ai e ka parë gjendjen në Bosnje ndërsa për Malin e Zi ka thënë se përkrah integrimin evropian, por ka lavdëruar Maqedoninë e Shqipërinë.
Chollet: Duhet kurajë politike nga liderët e Kosovës e Serbisë
Këshilltari i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Derek Chollet, deklaroi se vazhdimisht u duhet thënë, si Serbisë ashtu edhe Kosovës, se një mundësi e tillë, që përfundimisht të normalizohen marrëdhëniet e tyre, mund të mos vijë edhe një herë me dekada të tëra.
“Dje kam folur me presidentin Vuçiq e kryeministrin Kurti, duke u përmendur rëndësinë dhe se duhet ecur bashkë drejt zbatimit të marrëveshjes”, tha Chollet.
Ai më tej u shpreh se në këtë rast, duhet pranuar se BE-ja është angazhuar jashtëzakonisht në këtë proces dhe se është punuar vazhdimisht me palët.
“Por, palët duhet dëgjojnë këtë edhe nga Kongresi, të mos mendojnë se shqetësohemi vetëm ne”, tha ai.
“Nuk ka ndonjë ‘plumb magjik’ këtu. Duhet kurajë politike e rrezik për të dy liderët për të ecur para, ne duam t’u japim atë guxim”, tha më tej Chollet.
Një temë tjetër për të cilën u fol në këtë raportim ishte edhe procesi i “Ballkanit të Hapur”, nismë kjo e Serbisë, e ku bën pjesë edhe Shqipëria, Maqedonia e Veriut, por refuzohet nga Bosnje e Hercegovina, Kosova dhe Mali i Zi.
Sipas Chollet, tek “Ballkani i Hapur”, sheh përfitime të mëdha për shtetet, meqë ofron një treg të përbashkët dhe treg të madh.
“Kjo do të ketë përfitime të mëdha, si heqja e pritjeve të gjata të kamionëve në kufij”, tha Chollet.
Mbështetje të ngjashme procesit të “Ballkanit të Hapur” i ka dhënë edhe emisari Gabriel Escobar, sipas të cilit, ai e mbështet çdo iniciativë që i afron bashkë vendet e Ballkanit.
“Krejt kjo, derisa iniciativa është në vijë me standardet e Bashkimit Evropian dhe për aq gjatë sa i trajton njëjtë të gjitha vendet”.
(Lajmi në plotësim)
Escobar: Asociacioni brenda Kushtetutës së Kosovës, s'ka Republika Sërpska
Ata po pyetën për të gjitha zhvillimet politike dhe të sigurisë sa i përket Evropë por edhe Ballkanit.
Gabriel Escobar, emisar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, u pyet në Komitetin për Jashtme në Senatin e SHBA-së nëse ka garanci që Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë nuk do të kthehet në një Republika Sërpska të dytë.
Ai e mohoi një gjë të tillë, duke rikujtuar se Asociacioni është mënyrë për të ndaluar atë që po bën Serbia në veri të Kosovës.
“E që ajo pjesë të vendoset brenda strukturës ligjore të Kosovës”, tha Escobar.
“E kemi përsëritur vazhdimisht se do ta ndihmojmë Kosovën që ta formojë atë sipas një modeli evropian e që nuk shkel sovranitetin apo Kushtetutën e saj apo funksionalitetin”, tha Escobar.
Sipas tij, Asociacioni është rrugë për katër komunat apo komuna tjera që duan t’i bashkohen, që të marrin shërbime komunale për popullatën shumicë serbe në gjuhën serbe.
“ Nuk e shoh si koncesion për Serbinë, por si mënyrë që Kosova të akomodojë qytetarët që jetojnë në atë pjesë të Kosovës, e që janë qytetarë të Kosovës”, tha Escobar.
Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, më tej deklaroi se BE-ja, po ofron modele evropiane sa i përket Asociacionit.
Ai tha se në këto modele, shtetet mund të ofrojnë shërbime në gjuhë tjera për qytetarët pakicë, por nuk futen apo shkelin kushtetutshmërinë e fqinjit.
(Lajmi në plotësim)























