Punësimi i personave me aftësi të kufizuara, lë shumë për të dëshiruar
N.M. /RTKlive
Elvana Shala, ambasadore e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC, në emisionin “Pas dite", në RTK, tha se viti 2022 ishte shpallur nga Qeveria vit i personave me aftësi të kufizuar në Kosovë, me qëllim që të punësohen sa më shumë persona të kësaj kategorie, por në këtë drejtim është bërë fare pak.
“Nëse e shohim në praktikë si kanë ndryshuar gjërat, si në aspektin ligjor, si në aspektin e infrastrukturës, ashtu edhe në atë të punësimit, si dhe disa aspekteve të tjera, atëherë mund të themi se lë shumë për të dëshiruar. Unë, në cilësinë e ambasadores së Vullnetit të Mirë kam organizuar Kongresin e Parë Botëror, këtu në Prishtinë, ku morën pjesë 33 delegacione nga vende të ndryshme të botes, ku kemi folur për nevojat e shumta të këtyre personave”.
Ajo tha se ka një progres për këtë kategori, por është i pamjaftueshëm, kjo edhe nga aspekti shoqëror e që ka ende shumë punë për të bërë.
Kurse, Fadil Osmani, nga Divizioni për Shërbime të Punësimit, tha se viti 2022 ka qenë vit i sensibilizimit për këta persona. Ai shtoi se problem i punësimit në Kosovë i prekë të gjitha kategoritë e veçmas këta të personave me aftësi të kufizuar.
“Divizioni ynë ka dhënë një kontribut për punësimin e personave me aftësi të kufizuar, kontributi më i madh, në këtë drejtim, është përmes Qendrave të Aftësimit Profesional, ku ata kanë mundësinë për aftësim për vende pune. Këto shërbime janë pa pagesë”
Osmani përmendi disa nga format dhe organizatat që i kanë ndihmuar. Ai tha se bashkëpunojnë me bizneset private me qëllim të punësimit.
Ndërsa, Kaltërina Misini, zyrtare për komunikim në “Handikos”, tha se personave me aftësi të kufizuar u jepet me vështirësi një mundësi për punësim.
“E dimë se ekziston një ligj për punësimin e personave të kësaj kategorie, i cili parasheh që çdo i 50-ti i punësuar, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat, të ketë një të punësuar, person me aftësi të kufizuar, por, për fat të keq, deri më tani ky kusht nuk është plotësuar në plotëni asnjëherë”, tha Misini.
Ajo tha se personave të kësaj kategorie nuk po u jepet as mundësia elementare, ajo e qasjes fizike në objekte e institucione, që të jenë pjesë tregut të punës. Sipas saj, në Kosovë ky problem vazhdon të jetë një nga sfidat e personave me aftësi të kufizuar.























