Fëmijën e vrarë e detyruan ta varrosin në oborr të shtëpisë|Video
Alban Selimi / RTK
168 shqiptarë janë vrarë në Fushë Kosovë gjatë periudhës së ndërhyrjes së NATO- s, transmeton emisioni Udhëve në RTK, ku familjarë rrëfejnë krime makabre, nga ato të varrosjes së fëmijëve në oborre të shtëpisë, prerje gjymtyrësh të civilëve të vrarë e djegie të tërësishme
Fillimi i ofensivave më 1998 në Drenicë kishte vështirësuar tej mase jetën e banorëve
shqiptarë të Fushë Kosovës. Fushë Kosova ishte rrethuar nga gjitha anët, ku kishte të
pozicionuar policë në kodrat artificiale mbi fshatin Lismir, tek magazina e grurit si dhe nga
stacioni hekurudhor.
Kështu, nga këto pozicione gjuheshin me armë edhe fëmijët që mund të lëviznin në oborr të
shtëpisë. Nga plumbat ka pësuar edhe 8 vjeçari Behar Gojnovci nga Lismiri, të cilin e kishin
vrarë në oborrin e shtëpisë, transmeton emisioni Udhëve në RTK
Fëmijën e varrosën tek dyert e shtëpisë
Vdekja e Beharit nuk do të ishte goditja e vetme dhe shumë e rëndë për familjen, të cilët do të
detyroheshin të largoheshin nga shtëpia, duke e lënë të pa varrosur kufomën e të birit 8
vjeçar. I vetmi që do të kujdesej për varrimin e të birit ishte babai i të ndjerit.
“Babës i kanë dhanë leje me i marrë katër veta dhe kufomën me varrosë në oborr. Baba iu ka
thanë mosni bre, a keni ju fmi, qysh muj me varrosë në oborr…”, rrëfen Ganimete Gojnovci,
motra e të ndjerit. Ajo tregon se kur e kom marrë kufomën me varrosë, plumat iu kanë kaluar
skaj kokës pa ndërprerë. “Veç gjujshin te vorri. Edhe aty baba jem e ka varrosë me qata pleq
të fshatit që I ka marrë”, tregon Ganimetja.
Shaban Tërnava laborant i lartë mjekësor, gjatë këtyre viteve kishte shërbyer edhe si mjek. Ai
nuk kishte arritur asesi të ofrohej për ti dhënë ndihmë Beharit, pasi ura mbi fshatin Lismir
ishte vend i shënjestrës, kurse kjo urë ndante shtëpinë e doktorit vullnetar dhe familjes
Gojnovci. As kryqi i kuq nuk kishte mundur të jetë aty për t’i dhënë ndihmë Beharit që vdiq
nga plumbat dhe në mungesë të kujdesit mjekësor.
Behar Gojnovci do të varrosej para shtëpisë së tij. Pas përfundimit të luftës, kufoma e tij do të
zhvarrosej dhe do të zhvendosej tek varrezat e dëshmorëve në Fushë Kosovë.
Rrëfime rrënqethëse për vrasjet në Fushë Kosovë tregon aktivisti Shahin Idrizi. Kufomën e
babait të tij ai e gjeti pa kokë dhe pa duar. Por, Idrizi përmend shumë familje që kishin
humbur 5 e më shumë anëtarë.
Gjithë këto vrasje fillin e kanë në politikat ndjekëse që ndiqte regjimi i Sllobodan
Milosheviqit. Benzinë mbi zjarr ishte hedhur pikërisht në tubibim që Slobodan Milosheviq
kishte mbajtur me serbët lokalë në Fushë Kosovë, duke i nxitur për dhunë ndaj shqiptarëve.
Dy shoqe 14 vjeçare i vranë bashkërisht me prindërit dhe familjet
E krismat e pushkëve që ka dëgjuar Alëmshahe Krasniqi janë kujtimi i vetëm i 1 prillit të vitit
1999, kur asaj forcat serbe i vranë bashkëshortin Dr. Fatmir Krasniqin dhe vajzën e vetme
Blertën, atëherë 14 vjeçare. Bashkë me ta i vranë edhe 3 anëtarët e tjerë të familjes Krasniqi
nga Fushë Kosova.
Blerta ishte ndarë nga nëna, duke qëndruar afër babait të saj, në shtëpinë e fqinjit të tyre, ku
jetonte edhe një shoqe e saj e pa ndarë – Valbona, me të cilën ato ndanë të njejtin fat.
Afrim Krasniqi, kunati i Alëmshahes e kujton me shumë dhimbje ditën kur iu vranë 5
anëtarët e familjes, transmeton emisioni Udhëve në RTK.
“Familja kanë qenë të ndarë. Nana me qikë ka qenë në shpi tjetër, policia I ka mbledhë gjithë
në një vend. I ka ba pushkatimin. Janë familja syla,,,osmani… halili..ibnrahimi dhe me një
fjalë I kanë vra gjithë”, ka thënë ai për emisionin Udhëve në RTK.
Edhe sot e kësaj dite familja Krasniqi kërkon drejtësi dhe hetime nga Porkuroria Speciale për
vrasjen mizore të pesë anëtarëve të kësaj familjeje, të gjithë civilë, mes tyre edhe 14 vjeçarja
Blerta Krasniqi.
“Së paku të fillojnë hetimet prokuroria speciale për persona të zhdukur. Për Fushë Kosovë
dihen emrat dhe mbiemrat e kriminelëve që kanë ba masakra”, tha Krasniqi, transmeton
emisioni Udhëve në RTK.























