Kurti: Mungesa e korrupsionit në qeveri, ndikoi në zhvillimin ekonomik
A.B/RTKlive
Sot, u mbajt takimi i parë i punës për hartimin e Strategjisë Shtetërore kundër Korrupsionit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri të ditur se gjatë qeverisjes dyvjeçare kanë rezultate të prekshme, ku tha se ka ndikuar edhe në zhvillimin ekonomik.
Qytetarët tanë e kanë besuar këtë duke e dëshmuar me votë, zyrtari publik punon për publikun e jo për veten` - ka thënë Kurti. Kryeministri theksoi se vonimi i rezultateve kundër korrupsionit bie në përgjegjësin e opozitarëve.
‘’Ne duam etablim të shoqërisë që tregon zero tolerancë ndaj korrupsionit, zero tolerancë ndaj ryshfetit, e kontratave në këmbim të parave’’, ishte fjalia e parë që kryeministri Kurti vuri theksin për të veçuar më pastaj edhe Indeksin e Transparency International i cili sipas tij është tregues i mirë i suksesit të Qeverisë në luftimin e korrupsionit.
Para të pranishmëve në këtë ngjarje, kryeministri tha se rritja për 20 vende më lart në raport me praktikat e kaluara, dëshmon vullnet të një Qeverie të përgjegjshme për jetesë më të mirë për qytetarët.
“Mungesa e korrupsionit në Qeveri, përmirësimi në fushën e sundimit të ligjit, kanë ndikuar edhe në zhvillimin ekonomik. Qytetarët tanë kanë besuar këtë, gjë të cilën kanë dëshmuar me votimin masiv për ndryshime në zgjedhjet e fundit parlamentare”, u shpreh ai.
Këtë besim, shtoi më tej kryeministri, po e shndërrojmë në rezultate të cilat po tregojnë që zyrtari publik punon për publikun e jo për t’u pasuruar për vete apo për dikë tjetër privatisht, ndërkaq meritokracia, e drejta dhe rregullat e qarta e transparente bëhen parime bazë të punës së një administrate serioze, profesionale e llogaridhënëse.
“Korrupsioni, siç e dimë të gjithë, ka lënduar shoqërinë tonë për një kohë të gjatë, duke minuar institucionet demokratike besimin e qytetarëve, por edhe progresin tone si shtet”, deklaroi kryeministri, i cili tha se sot janë mbledhur për të përmbushur zotimin dhe përgjegjësinë që u është dhënë, për të hartuar Strategjinë Shtetërore kundër Korrupsionit, duke shtruar kështu rrugën drejt një shoqërie të çliruar nga korrupsioni.
Komisioni Ndërministror do të udhëhiqet nga Ministri Murati, e në përbërje të Ministres Rizvanolli, ministres Haxhiu e Ministrit Sveçla, të cilët do jenë në kontakt të vazhdueshëm me grupin punues e do prioritizojnë punën në hartimin e Strategjisë.
Në lidhje me këtë, kryeministri shprehu besimin tek ta pasi siç veçoi ai, përfaqësojnë nivelin më të lartë qeveritar në fushën e financave e të ekonomisë, të drejtësisë e të punëve të brendshme.
Ministri Murati tha se sot po e shënojmë një ditë të rëndësishme në përpjekjet tona të vazhdueshme për të luftuar korrupsionin në Kosovë ashtu siç edhe kemi premtuar, duke theksuar se si Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve ka nderin që të kryesojë grupin ndërministror për zbatimin e kësaj strategjie.
Në këtë takim, krahas përfaqësuesve të Qeverisë, të pranishëm ishin edhe e drejtues të Agjencive të ndryshme shtetërore dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.























