Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës mbylli punimet
RTKlive
(E plotësuar, ora 15:45) Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës mbylli punimet, meqë kandidati për zgjedhjen e një anëtari të Bordit për Ankesa të Mediave, në mungesë të kuorumit, nuk mori votat e nevojshme, ngaqë në votime morën pjesë 60 deputetë, nga 120 sa janë.
Për zgjedhjen e anëtarit të Bordit për Ankesa të Mediave, si dhe për pikat të tjera të rendit të ditës, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, shtyu për seancën e nesërme.
Nis seanca, shtyhet shqyrtimi i dy pikave të rendit të ditës
(E plotësuar) Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën plenare me pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara.
Fillimisht, Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të LVV-së, tha se është pajtuar me shefat e grupeve të tjera që pika e rendit të ditës Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për gjendjen në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, i propozuar nga PDK-ja, të shtyhet për nesër.
Shtyrja e kësaj pike u miratua nga deputetët e Kuvendit dhe ajo u shty për seancën e nesërme, që fillon në ora 10.
Pas kësaj, seanca filloi me pikat tjera të rendit të ditës.
Gjithashtu edhe projektligji për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Minierat e Mineralet, në mungesë të kuorumit,nuk merr dritën jeshile dhe për rrjedhojë bartet në një nga seancat e radhës.
Tutje, kryeparlamentari Glauk Konjufca njoftoi se sot pritet që deputetët të votojnë edhe për zgjedhjen e tre anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave, zgjedhja e një anëtari të Bordit për Ankesa të Mediave dhe zgjedhjen e një zëvendësi të Avokatit të Popullit nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë.
Në Kuvendin e Kosovës është votuar për 3 anëtarë të Komisionit për Mediet e Pavarura dhe nga kandidatët vetëm Luljeta Aliu -Krasniqi mori votat e nevojshme për anëtare të këtij komisioni.
Ndërkaq për anëtarët tjerë, të cilët nuk morën votat e nevojshme, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, sqaroi se konkursi për meshkuj do të rishpallet dhe do të përsëritet.
Ndërsa tani do të votohet për zgjedhjen e një anëtari të Bordit për Ankesa të Mediave dhe zgjedhjen e një zëvendësi të Avokatit të Popullit nga radhët e komuniteteve, që nuk janë shumicë në Kosovë.
Kuvendi i Kosovës mban sot seancë plenare

N.M. /RTKlive
Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë, sot, seancë plenare me pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara.
Deputetët e Kuvendit mes tjerash do të diskutojnë Projektligjin për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, do ta shqyrtojnë Projektligjin për Lirinë Fetare në Kosovë, si dhe themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës.
Gjithashtu, deputetët pritet të diskutojnë dhe votojnë edhe për zgjedhjen e tre anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave, zgjedhja e një anëtari të Bordit për Ankesa të Mediave dhe zgjedhjen e një zëvendësi të Avokatit të Popullit nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë, si dhe të bëjnë Shqyrtimin ie Propozim-rezolutës për gjendjen në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe shumë pika të tjera.
Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës fillon punën në ora 13.























