Vrasja e Gosës në Kavajë, arrestohet miku i autorit, e ndihmoi të largohej
Shqipëri

Vrasja e Gosës në Kavajë, arrestohet miku i autorit, e ndihmoi të largohej

RTSH

Një 29-vjeçar ka rënë në pranga e Policisë në Kavajë këtë të mërkurë (24 maj), i akuzuar se ka ndihmuar autorin e vrasjes së Arian Gosës, ngjarje e ndodhur 3 ditë më parë.

Në një njoftim për mediat, Policia bën me dije se 29-vjeçari me inicialet E.K., ka ndihmuar autorin Habib Rexha që të largohej pas ekzekutimit të Gosës, duke e marrë në automjetin e tij.

Automjeti u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa po ashtu Policia njofton se kanë gjetur edhe vendin se ku autori ka fshehur armën e përdorur në krim dhe po punohet për nxjerrjen e saj.   

Arian Gosa u ekzekutua më 21 maj, teksa ishte duke pirë kafe me babanë e tij në një lokal në Kavajë. Policia arriti të identifikojë shumë shpejt autorin e dyshuar, duke publikuar edhe një foto të tij, si dhe vuri në dispozicion 10 mijë euro për çdo informacion që çonte në kapjen e tij.

Autori Habib Rexha u vetëdorëzua ditën e djeshme (23 maj),  ndërsa pista e hakmarrjes dyshohet se ishte motivi i krimit, pasi Habib Rexha, është vëllai i Altin Rexhës, i cili mbeti i vrarë në një vrasje të dyfishtë në muajin mars të këtij viti në Kavajë, ku mbeti i vrarë edhe shtetasi, Edmond Gosa.


MË SHUME NGA Shqipëri