Kurti pret delegacionin malazez, bisedohet për avancim të marrëdhënieve
B.H. | RTKlive
Kryeministri Albin Kurti me rastin festës së Pavarësisë së Malit të Zi, mirëpriti sot një delegacion nga Mali i Zi, i përbërë nga udhëheqësi i drejtorisë për bashkëpunim me Diasporë-Emigrantë, Arben Jakupi, i ngarkuari me punë në ambasadën e Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj dhe sekretarja e ambasadës së Malit të Zi, Fedisa Daçiq.
Në takim ishte i pranishëm edhe zëvendësministëri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Qeverisë së Republikës së Kosovës, Lazar Raduloviq.
Sipas njoftimit të ekzekutivit në takim u bisedua për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe, sidomos nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, shkëmbimeve tregtare dhe energjisë, si dhe për projektet e përbashkëta infrastrukturore.
Kryeministri Kurti falënderoi shtetin e Malit të Zi për raportet e mira fqinjësore, për mbështetjen e vazhdueshme në rrafshin ndërkombëtar dhe për bashkëpunimin në nisma rajonale.
Qeveria po ashtu ka bërë të ditur se kryeministri Kurti në mbrëmje mori pjesë në festën e organizuar nga ambasada e Malit të Zi në Kosovë, me rastin e ditës së Pavarësisë së Malit të Zi.























