Kurti falënderon Osmanin për kontributin e OSBE-së në sigurinë e Kosovës
Foto: Elmina Osmani/RTK
Lajme

Kurti falënderon Osmanin për kontributin e OSBE-së në sigurinë e Kosovës

V. Thaçi / RTKlive

(E plotësuar) Zyra e kryeministrit përmes një komunikate për media, njofton se në takimin Ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, nën detyrën e kryesuesit të OSBE-së, kryeministri Kurti e ka quajtur këtë vizitë si një nder të veçantë dhe krenari.

Kurti në fjalën e tij të mirëseardhjes, ka thënë se janë shumë të lumtur të konstatojnë që marrëdhëniet e shkëlqyeshme po pasohen edhe me bashkëpunim i cili po rritet, duke pas parasysh që ministri Osmani siç tha kryeministri, ishte sot në cilësinë Kryesuesit të Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë.

‘’Ne jemi gjithashtu të gëzuar që do të mund të bashkëbisedojmë për çështjen e demokratizimit, të drejtave të njeriut dhe sigurisë që janë vlerat themelore që po ashtu i ndajmë së bashku’’, deklaroi ai, duke falënderuar ministrin Osmani për kontributin që OSBE-ja e ka dhënë për demokratizimin në Kosovë dhe për Sigurinë e vendit tonë.

Sipas njoftimit gjatë këtij takimi Kurti ka njoftuar Osmanin për të arriturat gjatë mandatit qeverisës në progresin ekonomik dhe demokratik, duke potencuar se në këto dy vite qeverisjeje buxhetit i janë shtuar 740 milionë euro, ndërkaq ekonomisë 2.1 miliardë euro.

Në mesin e sukseseve, Kurti ka venë në pah edhe konsolidimin e financave të cilat e kanë ulur deficitin buxhetor dhe po ashtu edhe uljen e deficitit tregtar nga 1 me 9 në 1 me 6.

Kryeministri ka folur edhe për pjesëmarrjen në ushtrimet ushtarake ‘’Defender Europe 23’’ që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke potencuar se kjo është hera e dytë që janë pjesëmarrës, dhe në të dy herët kanë qenë vend mikpritës. ‘’Këtë vit Kosova renditet e katërta për personelin ushtarak të angazhuar në këtë ushtrim nga 25 vende pjesëmarrëse’’, është shprehur ai.

Ndërkaq, ministri Osmani, nën detyrën e kryesuesit të OSBE-së, ka falënderuar kryeministrinKurti për mikpritjen duke thënë se është vërtet i kënaqur që kishte mundësinë që në kapacitetin e kryesuesit të OSBE-së sot të vizitojë Kosovën.

Teksa e uroi për arritjet impresive, e përgëzoi Kosovën në demokratizimin dhe integrimin gjinor. Në takimin e sotëm u theksua po ashtu edhe rëndësia e bashkëpunimit rajonal, derisa sa i përket procesit të dialogut me Serbinë,  Osmani dha mbështetjen e tij.

Njëkohësisht, Osmani ka shprehur falënderimin për bashkëpunimin e ngushtë në këto 20 vitet e fundit nëpërmjet institucionit të OSBE-së dhe institucioneve të Kosovës, e që kanë krijuar aq shembuj të mirë të këtij bashkëpunimi e që drejtpërdrejtë kanë kontribuar në demokratizimin e shoqërisë në qasjen ndaj komuniteteve, në promovimin e të drejtave individuale dhe ato kolektive.

Si ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Osmani ka uruar  Kosovën për kalimin me sukses të fazës së parë të anëtarësimit në Këshill të Evropës dhe konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Maqedonisë së Veriut për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Misioni i OSBE-së në Kosovë është misioni më i madh i kësaj organizate. Ka gjithsej 5 qendra rajonale me staf prej 490 personave, prej të cilëve 2/3 janë staf lokal.

Ministri Osmani në takim me kryeministrin Kurti

J.M/RTKlive

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, vazhdon vizitën zyrtare në Kosovë.

Në cilësinë edhe të kryesuesit të OSBE-së, ai është në takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Ky takim pason atë që ai pati me presidenten Vjosa Osmani dhe homologen e tij, Donika Gërvalla.

Nuk është paralajmëruar se do të ketë deklarim për media, por pritet që Kryeministria dhe Presidenca, më vonë të lëshojnë nga një deklaratë.

Përndryshe, ministri Osmani mbajti konferencë për media me homologen Gërvalla ku shprehu  rëndësinë e uljes së tensioneve në veri të Kosovës dhe t’i jepet hapësirë dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.


MË SHUME NGA Lajme