Haradinaj: Autostrada e Dukagjinit bëhet sapo të ikë LVV  nga pushteti
Foto: Ramush Haradinaj/Facebook
Lajme

Haradinaj: Autostrada e Dukagjinit bëhet sapo të ikë LVV  nga pushteti

J.Musliu/RTKlive

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas deklaratës së ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, se në rajonin e  Dukagjinit, nuk do të ketë ndërtim të autostradës, por vetëm zgjerim të rrugës aktuale.

Haradinaj ka deklaruar se autostrada e Dukagjinit do të bëhet,  sapo të largohet pushteti aktual.

Ish-kryeministri Haradinaj ka thënë se ky projekt nuk kishte filluar për shkak se mandati i tij ishte ndërprerë ndërsa qeveria Kurti i kishte bllokuar të gjitha projektet, përfshirë edhe ato ekzistuese.

"Autostrada e Dukagjinit nuk u ndërtua sepse Qeveria që udhëhiqja unë ishte ndërprerë në mes, kurse qeveria e Vetëvendosjes, jo vetëm që nuk hapi projekte të reja infrastrukturore, por i bllokoi edhe ato ekzistuese", ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, kur ishte vendosur të merrte udhë projekti i autostradës së Dukagjinit si një investim strategjik, meqenëse do ta lidhte pothuaj një të tretën e territorit të Kosovës me pjesën tjetër, pati filluar një fushatë e egër e Vetëvendosjes kundër tij, me arsyetimin se nuk duhej të shpenzoheshin paratë në asfalt.

“Sot kanë mbetur keq e për faqe të zezë, jo vetëm rruga për Mitrovicë, për Gjilan, për Pejë, për Gjakovë, por edhe projektet tjera infrastrukturore, duke i zbritur investimet kapitale në kuota qesharake”, deklaroi Haradinaj.

“Sikur kjo të bëhej me qëllim të rritjes së mirëqenies së popullit, në këto dy vjet të një krize globale ekonomike, edhe do ta kishte një derë, por për fat të keq nuk ka ndodhur as kjo”.

Ish kryeministri haradinaj tha se sot, Kosova e ka mesataren e pagave më të ulët në rajon, pensionet më të ulëta, paga minimale më e ulëta në kontinent, ndërkohë që tatimi në pronë është rritur dy e trefish, energjia është rritur të paktën dy herë e të mos të flitet për rritjen e çmimeve të artikujve elementarë, apo të inflacionit i cili ka qenë më i larti në këto 20 vjet.

“Sikur të mos u mjaftonte kjo, qeveritarët e rinj u janë turrur edhe mjeteve vetanake të komunave dhe dojnë me i marrë edhe ato! Ose kanë fytyrë e deklarojnë se do të ketë harrnime e zgjerime dhe prapë lidhen të Autostrada e Dukagjinit dhe thonë se ajo nuk do të ndërtohet”.

 


MË SHUME NGA Lajme