Kastrati: Kosova për Rusinë, vendi më i përshtatshëm për destabilizim|Video
M.Miftari/RTKlive
Gjenerallejtënant Kadri Kastrati në RTK Prime tha se kryeministri Kurti do të duhej të ishte në koordinim me KFOR-in dhe me ambasadën amerikane në Prishtinë.
Deklaratat e SHBA-së, Kastrati i ka vlerësuar miqësore e këshillëdhënëse. Sipas tij, Serbia është e interesuar që dialogu të ndërpritet.
Ndërkohë, ai ishte kritik ndaj BE-së për heshtjen e vizitës së Vulinit në Rusi, duke shtuar se tashme dihet ndikimi rus në rajon.
“Kosova për Rusinë është vendi më i përshtatshëm për destabilizim”, tha Kastrati në RTK Prime.
Ndërkaq Flamur Hyseni, profesor universitar lidhur me situatën në veri tha se veprimet e shtetit i sheh si përpjekje për shtrirjen e integritetit dhe sovranitetit të vendit.
Ai tha se në veri të vendit po veprojnë një grup i vogël kriminal që, siç tha ai, nuk mund ta cenojë sigurinë.
Ndërkaq lidhur me reagimin e ndërkombëtarëve, veçmas të SHBA-së, Kastrati e Hyseni i vlerësuan si miqësore, këshillëdhënëse, por edhe si paralajmërim për të ardhmen, ndonëse sipas tyre, raportet me SHBA-në janë e mbeten të shkëlqyeshme.
E për reagimet e partive opozitare, Hyseni tha se ato janë më shumë për konsum të brendshëm.