Bislimi: Protesta është keqpërdorur nga elemente kriminale
BKT
Lajme

Bislimi: Protesta është keqpërdorur nga elemente kriminale

E. H/ RTKlive

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi,  ka reaguar për situatën e tensionuar në veri të Kosovës.

Ai ka thënë se dhuna e përdorur ndaj KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve, dëshmoi që kjo nuk është protestë e qytetarëve.

Ai është shprehur se armët e zjarrit, molotovi, shok bombat, mjetet eksplozive, mbishkrimet për nxitje të dhunës nuk janë mjete të një proteste paqësore e të qytetarëve.

“Të drejtuara nga Beogradi përmes Listës Serbe, ky është një sulm që vjen nga huliganë dhe elemente kriminale. Protesta është keqpërdorur nga to, pikërisht për qëllimet dhe motivet e tyre kriminale”, ka shkruar Bislimi në Facebook.

Ai tha se qytetarët duan kryetarë të komunave, që shërbejnë për ta e të cilët i përgjigjen kërkesave e nevojave të tyre.

“Duan paqe dhe qetësi, stabilitet e jetë më të mirë. Duhet të krijohen kushtet normale përmes të cilave kryetarët e zhvillojnë punën, përgjegjësinë e detyrimin e tyre ndaj qytetarëve”, ka shkruar Bislimi.

Zëvendëskryeministri ka thënë se qëndrojnë të përkushtuar në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë, për një zgjidhje të përbashkët.

“Falënderim për angazhimin e të gjithë mekanizmave të sigurisë dhe për të gjithë gazetarët për punën e tyre të palodhshme. Shërim të shpejtë për pjesëtarët e lënduar të KFOR-it”, ka thënë Bislimi.


MË SHUME NGA Lajme