Protestuesit në Leposaviq i afrohen barrikadës së KFOR-it
BKT
Lajme

Protestuesit në Leposaviq i afrohen barrikadës së KFOR-it

B. H. | RTKlive

Në Leposaviq gjendja vazhdon të jetë e qetë, por e tensionuar, raporton gazetarja e RTK-së nga terreni, Arbresha Berisha.

Ajo ka bërë të ditur se serbët lokalë po qëndrojnë në katër anët e komunës, por që deri tani nuk ka pasur ndonjë incident ndërmjet protestuesve dhe forcave të rendit.

Protestuesit kanë lëvizur drejt barrikadës ku janë të vendosur trupat e KFOR-it, me të cilët kanë filluar të komunikojnë.

Forcat e KFOR-it u kanë kërkuar protestuesve në Leposaviq që të ruajnë qetësinë. Ata thonë se nuk duan që në këtë komunë të ndodhin konfrontime, siç kanë ndodhur mbrëmë në Zveçan dhe se nuk duan tensione.

Protestuesit në Zubin Potok provokojnë Policinë e Kosovës

Protestuesit në Zubin Potok kanë filluar provokimet në drejtim të Policisë së Kosovës në forma të ndryshme, raporton gazetarja e RTK-së, Valjeta Shala, e cila po i përcjell zhvillimet e fundit në këtë komunë.

Më herët ajo ka raportuar se protestuesit kanë vendosur flamuj të Serbisë përreth objektit të Komunës së Zubin Potokut, teksa flamuri i Republikës së Kosovës vazhdon të valëvitet  në ballë të ndërtesës.  


Situatë e qetë në veri, protestuesit mblidhen para komunave

Mëngjesi i së martës duket i qetë në tri komunat veriore të banuara me shumicë serbe. Ndonëse edhe për sot janë paralajmëruar protesta në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, tash për tash situata duket e qetë, me trupat e KFOR-it dhe Policinë e Kosovës që janë të vendosura para objekteve të këtyre tri komunave.

Gazetarja e RTK-së, Edona Podvorica raporton nga vendi i ngjarjes se tashmë një numër i madh i qytetarëve serbë janë mbledhur para objektit të Komunës së Zveçanit, por se situata është e qetë. Ajo ka bërë të ditur se në mesin e të pranishmëve janë edhe drejtuesit e Listës Serbe, Goran Rakiq dhe Igor Simiq.

Ndërkaq, gazetarja Valjeta Shala, e cila ndodhet në Zubin Potok, njofton se edhe atje është mbledhur një numër i madh i protestuesve por situata duket e qetë.

Ajo ka bërë të ditur se protestuesit në Zubin Potok kanë vendosur flamujt  e Serbisë në pjesë të ndryshme në oborrin e komunës, teksa në ballë të objektit të komunës qëndron ende ai i Republikës së Kosovës.

Serbët kanë paralajmëruar edhe sot protesta në veri

Një ditë pas vandalizmit të shfaqur ndaj ushtarëve të KFOR-it në Zveçan, serbë të nxitur nga strukturat kriminale kanë paralajmëruar edhe për sot grumbullime pranë tri objekteve të komunave në Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Nga përleshja e djeshme me protestuesit e dhunshëm serbë, të cilët hodhën shok bomba dhe molotov, së paku 25 ushtarë të KFOR-it mbetën të lënduar, disa prej tyre në gjendje të rëndë, derisa të lënduar pati edhe nga radhët e protestuesve.

Ndërkohë, sot që nga orët e hershme ka filluar pozicionimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe KFOR-it në afërsi të objektit të komunës në Zubin Potok, teksa situata aktualisht është e qetë.


MË SHUME NGA Lajme