Policia: Në veri qetë, por situata mbetet e brishtë
M.Sh/RTKlive
Situata e sigurisë në veriun e Kosovës po vazhdon të mbetet e tensionuar pas akteve të dhunës që kanë shfaqur dje protestuesit e dhunshëm serb. Kështu raporton Policia e Kosovës në njoftimin e sotëm për medie, e cila gjithashtu u bënë thirrjeve qytetarëve për qetësi dhe të mos bien preh e provokimeve të dhunshme.
"Referuar rrethanave dhe zhvillimeve të ndodhura dje (29.05.2023), ku protestues, individë/grupe kriminale, me dhunën ekstreme të shfaqur, kanë bërë që situata në aspektin e sigurisë në veri të vendit të përshkallëzohet dhe të degradojë deri në rrezikim të jetës së njerëzve, përfshirë jetën e zyrtarëve të institucioneve të sigurisë. Protestat në tri komunat në veri të vendit Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan po vazhdojnë edhe sot pranë objekteve komunale, situata aktualisht vlerësohet të jetë e brishtë, por e qetë”, thuhet në raportin e Policisë.
Kjo e fundit thuhet se sipas detyrës zyrtare, po vazhdon me angazhime në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e protestave, si dhe po i koordinon aktivitetet me KFOR-in dhe institucionet relevante.
“Njëkohësisht njësitet policore janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me rastet dhe zhvillimet e djeshme. Policia e Kosovës edhe sot fton qytetarët për qetësi dhe të mos bien pre e thirrjeve për protestë të dhunshme dhe provokime të çfarëdo natyre qofshin ato”, thuhet në njoftimin e fundit për media lëshuar nga Policia e Kosovës.























