AGK: Sulmohen gazetarët me gjësende të forta në Leposaviq
F. Sertolli / RTKlive
Gazetarët e medieve të ndryshme janë sulmuar para pak çastesh nga protestuesit serbë në Komunën e Leposaviqit.
“Në një transmetim direkt të medieve, shihen disa gra duke tentuar t’i pengojnë gazetaret e RTV Dukagjinit, KOHËS dhe medieve të tjera të raportonin live nga kjo komunë”, thuhet në reagimin Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës .
AGK ka kontaktuar menjëherë Policinë e Kosovës, që t’u sigurojë një perimetër të sigurt të raportimit kolegëve tanë.
AGK-ja, ju bën thirrje të gjithë kolegëve që të respektojnë udhëzimet e dhëna nga zyrtarët e Policisë së Kosovës që janë prezent atje, dhe të kenë kujdes të shtuar gjatë raportimit.
Sulmohen gazetarët nga persona të maskuar në Leposaviq, Tëvë1 ia thyejnë kamerën
F.Sertolli / RTKlive
Në Komunën e Leposaviqit aktualisht gazetarët e mbi 10 medieve janë sulmuar nga persona të maskuar.
“Kolegët nga Tëvë1 kanë njoftuar AGK-në, se disa persona ua kanë thyer kamerën atyre me arsyetimin që të mos i xhirojnë, pasi janë me maska.
Këto sjellje nga protestuesit maskuar janë totalisht të papranueshme, dhe u bëjmë thirrje organeve kompetente të sigurisë që janë prezent në këtë komunë, t’i sigurojnë gazetarët në mënyrë që të njëjtit të raportojnë pa u sulmuar e penguar”, thuhet në reagimin Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.
AGK njëherësh, ju bën thirrje të gjithë kolegëve që të kenë kujdes të shtuar gjatë raportimit.
Vandalizohet vetura e Kanal 10 në Zveçan
Ekipit të televizionit Kanal 10 iu është dëmtuar vetura gjatë raportimeve në veri të vendit.
Këto sulme në drejtim të gazetarëve dhe punonjësve të tjerë medialë po intensifikohen, ndërsa ata vazhdojnë të raportojnë në kushte shumë të rënda.
Për AGK-në, është e papranueshme gjendja e gazetarëve, të cilët janë targeti i vazhdueshëm i protestuesve serbë. Teksa kjo rëndohet edhe më shumë, kur atyre nuk po u ofrohet mbrojtje e drejtpërdrejtë nga KFOR, dhe prezenca tjetër ndërkombëtare në atë pjesë të vendit.
AGK-ja, u bën thirrje pronarëve të mediave, kryeredaktorëve dhe organeve udhëheqëse që të kenë prioritet mirëqenien e gazetarëve, kameramanëve, fotoreporterëve dhe shoferëve. Ndërsa, kolegëve gazetarë iu bëjmë thirrje që t’iu përmbahen intruksioneve të Policisë së Kosovës.























