Mourinho: Ne e meritojmë të luajmë në këtë finale
F.Bytyqi/RTKLive
Trajneri i Romës, Jose Mourinho në një konferencë për medie, një ditë para finales kundër Sevillas, ka thënë se skuadra e tij e ka merituar të luajë finalen e Europa League.
‘Romakët’ dhe Sevilla do të ndeshen nesër mbrëma në Budapest në finalen e kësaj gare joshëse në Evropë.
“Është një rrugëtim i gjatë, ndryshe nga ajo që bëri Sevilla kur mbërriti nga Champions League. Një rrugëtim i gjatë dhe i vështirë dhe ne tani e meritojmë të luajmë në këtë finale”, ka thënë Mourinho.
Strategu portugez e pranon se tradita është në anën e skuadrës spanjolle, por sipas tij, Roma mund të shkruajë historinë.
“Sevilla është favorit për shkak të historisë, por ne jemi këtu sepse e meritojmë. Ata kanë përvojë që ne nuk e kemi. Për ta është bërë normale të luajnë në një finale të Ligës së Evropës, ndërsa për ne është një gjë e jashtëzakonshme, për tifozët e ekipit tonë është historike dhe e paharrueshme. Ne jemi gati për ndeshjen e nesërme”, ka theksuar Mourinho.
Finalja e Europa League-s mes Sevillës dhe Romës fillon në orën 21:00.























