Atiq kërkesë ZKA-së që të fillojë auditimin në Mitrovicën e Veriut
Sh.Gashi / RTKlive
Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, në një linjë të drejtpërdrejtë në RTK, ka njoftuar se i është drejtuar Zyrës Kombëtare të Auditimit me kërkesë që të fillojë auditimi në komunën që e drejton.
“Po, dje kam paraqitur kërkesën në KOST dhe në ZRRE për pagesën e rrymës në ndërmarrjet e komunës veriore të Mitrovicës", tha Atiq në emisionin "Info Plus" në RTK.
"Kam paraqitur kërkesën te këto organe për regjistrimin e institucioneve publike të kësaj komune, gjithashtu identifikimin e çfarëdo borxhi eventual nga këto ndërmarrje që janë nën ombrellën e Komunës së Mitrovicës së Veriut”, tha Atiq.
Ai bëri të ditur se ka kërkuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit që të bëhet audititmi i komunës për vitin 2021 dhe 2022. “Shpresoj që përgjigjja nuk do të vonohet nga këto institucione,” u shpreh ai.
Atiq ka folur edhe për punët e para që do të bëjë gjatë mandatit të tij.
“Ditën e nesërme tha se shkon në Kuvendin Komunal, propozimi për shtesën e fëmijëve për të gjithë ata fëmijë që kanë lindur dhe do të lindin në vitin 2023, pra shtesa prej 100 eurosh", tha kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut.
"Tani jemi duke bërë përgatitje profesionale për të filluar me investime në infrastrukturë, pasi siç e dimë, ka pasur një diskriminim sa i përket kësaj pjese", tha ai.
"Mund të them se diskriminimi ishte në baza etnike, pra kryesisht në pjesët ku banojnë komuniteti shqiptar, kështu që presim që shumë shpejt të fillojnë punimet", tha Atiq.























