Kurti në CNN: S`e dorëzoj Republikën demokratike tek milicët fashistë|Video
BKT
Foto: RTKlive
Lajme

Kurti në CNN: S`e dorëzoj Republikën demokratike tek milicët fashistë|Video

Jeton Musliu/RTKlive

(Plotësuar) Në këtë intervistë nga CNN, kryeministri Albin Kurti u pyet edhe për kërkesën e Përfaqësuesit të BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell. Ai ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të largojë policinë nga ndërtesat e këtyre komunave në veri të vendit.

Kryeministri u pyet nëse do ta marrë një vendim të tillë. Kryeministri tha se disa nga pjesëtarët e policisë duhet të jenë prezent në komuna sikurse në secilën komunë tjetër në Republikë.

“Janë 38 komuna në tërë Republikën. Por nëse dhuna vazhdon dhe derisa vazhdon të ketë turma jashtë ndërtesave të komunave, nuk mund të ketë vetëm disa policë atje”, tha Kryeministri Kurti në CNN.

Sipas tij, ka nevojë të ketë policë që duhet të mbrojnë rendin e ligjin ku zbatojnë urdhrat për paqe e siguri dhe se komunat duhet të jenë për të gjithë.

“Jo vetëm për strukturat paralele të Serbisë të kthyera në grupe kriminale në mënyrë të veçantë së fundi”.

CNN më tej pyeti Kryeministrin Kurti për deklarimin e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken i cili në një postim në Twitter ka kërkuar që kjo dhunë të ndërpritet dhe Kryeministri Kurti t’i kthehet dialogut.

Kryeministri i kosovës tha se të gjithë trupat ndërkombëtarë kanë njohur zgjedhjet e  mbajtura në veri të vendit.

“Kur njeh procesin e zgjedhjeve dhe rezultatin e tij, atëherë kryetarët duhet të shkojnë në komuna”, tha Kryeministri, duke pyetur se - “kush tjetër duhet të jetë në këto ndërtesa të komunës, nëse jo kryetarët?”.

Ai tha se është duke punuar ngushtë me faktorin ndërkombëtarë e në mënyrë te veçantë me SHBA-në dhe BE-në.

“Ne i konsiderojmë ata pandashëm si miq dhe aleatë dhe do të bëjmë më të mirën. Por nuk e dorëzoj Republikën demokratike tek milicët fashistë”, tha Kryeministri në këtë intervistë për CNN.

Kurti në CNN: Kosova sukses i NATO-s, kjo shqetëson Beogradin e Kremlinin

Kryeministri Albin Kurti, gjatë intervistës në CNN, u pyet edhe për marrëveshjen e vitit 2013 mes Kosovës e Serbisë, në lidhje me formimin  Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

I pyetur se përse një gjë e tillë nuk po ndodhë edhe tani pas dhjetë vjetësh, Kurti tha se Kosova ka një marrëveshje me Serbinë tani e cila quhet ‘Marrëveshja Bazike’.

Ai tha se Presidenti i Serbisë dhe vetë ai, në praninë e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Borrell dhe emisarit të posaçëm për dialogun, Lajçak, janë dakorduar për tekstin që ka 11 nene, 6 pika në preambulë.

“Kemi marrëveshje”, tha Kurti. Ai tha se pjesë e marrëveshjes është edhe zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë, nga paraardhësit e tij në këtë detyrë.

“Janë 39 të gjitha bashkë prej të cilave dy, ndërlidhen me Asociacionin, të cilat megjithatë, nuk  kanë kaluar testin nga ana e Gjykatës Kushtetuese”, tha kryeministri Kurti në këtë intervistë prej tetë minutash.

Ai tha se dëshiron që komuniteti serb të ketë vetëmenaxhim ashtu siç parashikohet në pikën shtatë të “Marrëveshjes Bazike”. Kryeministri tha se nuk po neglizhon dhe nuk i mohon marrëveshjet e  dakorduara më parë por kjo nuk është e vetmja.

“Ne kemi nevojë për një plan për rrugë zbatimi për tërë marrëveshjen e arritur në shkurt të këtij viti”.

I pyetur se përse serbët i kanë bojkotuar zgjedhjet dhe se përse ata ndjehen të mos përfaqësuar, Kurti tha se komuniteti serb në Kosovë përbën 4 % të popullatës.

“93% janë shqiptarë dhe pjesa tjetër prej 3% janë minoritete të tjera si romë, boshnjakë, turq, egjiptianë e goranë”, tha Kurti, duke shtuar se “ne duam të jetojmë në një shoqëri shumë etnike”.

Megjithatë, ai rikujtoi se nuk mund të ketë një minoritet të privilegjuar sepse Beogradi vazhdon të vajtojë humbjen e Kosovës në vitin 1999, kur NATO intervenoi për të ndaluar gjenocidin e regjimit të Millosheviqit.

“Kosova është një tregim suksesi nga intervenimi i NATO-s. Kjo është ajo që i shqetëson të dyja, Beogradin dhe Kremlinin”.

Kurti në CNN: Milicë nga Serbia kanë ardhur për trazira në veri të Kosovës

Në këtë intervistë për CNN, kryeministri Kurti tha se sot ( e martë), situata në veri të vendit është shumë më e qetë sepse protestuesit nuk kanë sulmuar policinë dhe KFOR-in, por në anën tjetër kanë sulmuar gazetarët.

Kryeministri tha se dëshiron të ketë paqe dhe siguri por beson se demokracia dhe rendi e ligji është rruga përpara.

Kryeministri u shpreh se nuk është e pamundur që në ndërtesat e komunave  të mos jenë kryetarët e zgjedhur.

“Fuqia në Kosovë nuk mund të fitohet me shok bomba, me krime e dhunë, por vetëm me anë të zgjedhjeve”.

Më tej në këtë intervistë, kryeministri Kurti u pyet nëse ka ndonjë dëshmi që provon se në këto protesta që janë transmetuar gjithandej janë shkaktuar nga Serbia, apo aleatët e Putinit.

Kryeministri Kurti tha se ka shumë video dhe fotografi që tregojnë pjesëtarë të milicisë serbe që janë të vendosur në pjesën e parë të turmës dhe se këta janë identifikuar si persona që kanë ardhur nga Serbia.

“Disa nga ta janë gjithashtu nga pjesa veriore e Kosovës, por disa prej tyre vijnë nga Serbia”, u përgjigj Kryeministri në këtë intervistë.

Ai më tej theksoi se Kosova është një shtet demokratik pro evropian, duke shtuar se fqinji verior, Serbia, është pro autokracisë ruse.

“Pra nuk ka shumë demokraci atje”, tha kryeministri në këtë intervistë. Ai tha se edhe pse në Serbi kanë zgjedhje, derisa kanë një parti, një lider dhe e kanë urdhëruar të ashtuquajturën xhandarmëri, të vijnë në veri të Kosovës e të shkaktojnë trazira.

Kurti në CNN: Po ballafaqohemi me ekstremistë që admirojnë Putinin |Video

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë një intervistë për televizionin amerikan CNN. Në këtë intervistë, ai ka shpjeguar situatën e fundit në Kosovë, përkatësisht atë në veri të Republikës.

Pasi shpjegoi për dorëheqjen e kryetarëve serbë të katër komunave të vendit në fundin e vitit të kaluar, pastaj caktimin e datës për zgjedhje të parakohshme e më vonë shtyrjen e tyre për çështje të sigurisë, për katër muaj, ai tha se ato u mbajtën me 23 prill të këtij viti.

“Tani kemi katër kryetarë komunash e ku legjitimiteti i tyre është i ulët, por në anën tjetër nuk ka asnjë që është më shumë legjitim sesa ata”, tha Kurti, duke rikujtuar se zgjedhjet i kanë bojkotuar banorët serbë të asaj zone.

Ai tha se duhet të kemi rend e ligj dhe se Kosova është Republikë demokratike. “Duhet të sigurohemi që në ndërtesat e komunave që janë pronë e Republikës, duhet të jenë kryetarët kosovarë që janë zgjedhur”.

Kryeministri tha se në anën tjetër, Kosova po ballafaqohet me protestues që nuk janë paqësorë.

“Po ballafaqohemi me ekstremistë, me ultranacionalistë të majtë, që janë paguar e urdhëruar nga Beogradi dhe që admirojnë presidentin despotik Vladimir Putin”, tha kryeministri në CNN.

Ai tha se këta janë milici fashiste që sulmojnë policët e Kosovës, ushtarët e  NATO-s dhe gazetarët.

(Lajmi në plotësim) 


MË SHUME NGA Lajme