Lugina e Preshevës e shqetësuar për zhvillimet në veri të Kosovës
J.Musliu/RTKlive
Shqiptarët e Luginës së Preshevës, deklarojnë se janë duke ndjekur me shqetësim situatën e mrijuar në veri të Kosovës.
“Me shqetësim të thellë po përcjellim gjendjen e rënduar në veri të Kosovës, ku po sulmohen Policia e Shtetit, trupat e KFOR-it dhe gazetarët e mediumeve të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, të cilët janë në shërbim të rendit dhe lirisë, nga grupe e individë me maska”, deklaroi kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu.
Ai tha se situata e rënduar në komunat veriore të Kosovës, bën që edeh ata të ndjehen edhe më keq kur kujtojnë qasjen diskriminuese dhe shtypëse të Serbisë karshi qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës.
“Krejt kjo, edhe për mungesën e seriozitetit ndërkombëtar, për të ofruar një perspektivë të qëndrueshme në raport me shqiptarët pakicë”, deklaroi Lutfiu.
Ai tha se Lugina e Preshevës ndjehet tërësisht e përjashtuar nga Serbia.
“Megjithatë qytetarët e Luginës janë pjesë e institucioneve të ndërtuara nga ky shtet dhe nuk barrikadojnë në asnjë rrethanë asnjë përpjekje për ndryshime pozitive”.
Ai u shpreh se fatkeqësia është se nuk ka përpjekje të tilla dhe Lugina vazhdon të jetë vendi më i diskriminuar, jo vetëm në Evropë.
“Pavarësisht kësaj, apeli ynë është që të jemi pjesë e zgjidhjeve të përhershme, duke respektuar të drejtat legjitime të pakicave, pavarësisht nacionalitetit që përfaqësojnë”.























