Sadrija: SHBA nuk ka interes ta shkatërrojë Kosovën
BKT
Lajme

Sadrija: SHBA nuk ka interes ta shkatërrojë Kosovën

M.Miftari/ RTKlive

Xhavit Sadrija, ish-atashe i FSK-së në Gjermani dhe njohës i sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në "Lajmet e fundit" foli për situatën në veri të vendit, si dhe për masat e paralajmëruara nga SHBA për Kosovën, si pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen në objektet komunale të kryetarëve të rinj.

Ai tha se situata është mjafte shqetësuese për sigurinë jo vetëm të Kosovës por edhe në rajon, ngasë shumë aktorë janë të përzier këtu.

Sadrija, më tej,  tha se kjo situatë nuk ka të bëjë vetëm me kryetarët e 4 komunave, por më shumë se aq. Sipas tij, kur Serbia ka probleme brenda ajo dirigjon turmën drejt Kosovës për ta destabilizuar atë.

Tutje, ish-atasheu i FSK-së në Gjermani, Xhavit Sadrija kritikoi Bashkësinë Ndërkombëtare për qasjen e ngadalshme për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, që i kushtoi jo vetëm Kosovës, por rajonit, si dhe vetë Bashkësisë Ndërkombëtare.

Sadrija më tej foli për pozitën gjeostrategjike të Ballkanit Perëndimor, që ka qenë joshëse për fuqitë e Mëdha, si dikur, ashtu edhe sot, fjala vjen Rusia përmes Serbisë është e interesuar ta zgjerojë konfliktin në rajon, derisa forcat tjera në krye me SHBA po përpiqen ta konsolidojnë shtetin Kosovës e, rrjedhimisht, edhe për forcimin paqes e stabilitetit në rajon.

Lidhur me përjashtimin e Kosovës nga “Defender 23” Sadrija tha se pa mbështetjen e SHBA-së Kosova nuk do të mund të arrinte këtu ku është sot, por se, reagimin e djeshëm ndaj Kosovës , Sadrija e vlerësoi si të çuditshëm, duke i dhënë të drejtë veprimit të qeverisë së Kosovës, siç tha ai, në shtrirjen e sovranitetit.

“Ndiej keqardhje për atë se çfarë ka ndodhur dhe është befasuese  për momentin e tanishëm, ndonëse edhe Qeveria e Kosovës e edhe SHBA-ja do të duhej të ishin më të hapur, më të sinqertë me popullin e Kosovës, në mënyrë që të ishim më të informuar se çfarë është duke ndodhur atje”, deklaroi eksperti i çështjes së sigurisë, Xhavit Sadriaj, në "Lajmet e fundit", në RTK.

Ai më tej shtoi se SHBA nuk ka interes ta shkatërrojë Kosovën, apo ta lë të cunguar, sepse na ka përkrahur vazhdimisht dhe është mbështetësi ma i madh i yni, derisa sugjeroi se duhet vepruar me maturi e jo ma inate.

“Duhet patjetër të koordinohemi me SHBA dhe bashkë me aleatë perëndimorë, që të zgjidhim këtë situatë në mënyrë paqësore”, deklaroi Sadrija.

E për FSK, Sadrija tha se ky organizëm ushtarak është produkt i SHBA-së dhe është zhvilluar përmes parimeve e standardeve të NATO-s.

“Nuk pres prishje të marrëdhënieve mes të SHBA-së e Kosovës, por është një veprim që nuk na gëzon fare”, deklaroi Sadrija, derisa shtoi se SHBA dëshmon se e ka seriozisht nëse Qeveria e Kosovës shkon me këtë ritëm që është duke shkuar.


MË SHUME NGA Lajme