Hamsik konfirmon pensionimin: Unë e realizova ëndrrën time
F.Bytyqi/RTKLive
Asi sllovak Marek Hamsik ka konfirmuar pensionimin e tij si futbollist aktiv.
35 vjeçari, i cili aktualisht është pjesë e klubit turk, Trabzonspor, në një konferencë për medie, ka thënë se të shtunën do të luajë ndeshjen e tij të fundit si futbollist.
Hamsik, i cili majat e karrierës së tij, i arriti tek Napoli, ka falënderuar të gjitha klubet në të cilat ka bërë karrierë.
“Trabzonspor do të jetë ekipi im i fundit dhe unë do të luaj ndeshjen time të fundit në shtëpi të shtunën. Dua të falënderoj të gjitha klubet për të cilat kam luajtur që ma dhanë këtë mundësi. Faleminderit të gjithëve për këtë udhëtim, unë e realizova ëndrrën time. Sapo linda, futbolli ishte gjëja e parë që më erdhi në mendje. Ky ishte fati im. Karrierën e fillova në moshën 4 vjeçare, kisha ëndrra të mëdha dhe mendoj se i kam arritur qëllimet e mia. Dua të falënderoj familjen dhe miqtë e mi që kanë qenë pranë meje për besimin tek unë. Faleminderit tifozëve që më kanë mbështetur. Tani do të shijoj këto momente të fundit, ndeshjet e fundit. Mund të mos qaj, por jam shumë i lumtur dhe krenar”, ka deklaruar Hamsik.























