Nis takimi Osmani-Scholz-Macron në Moldavi |Foto
BKT
Foto: Krenar Statovci/RTK
Lajme

Nis takimi Osmani-Scholz-Macron në Moldavi |Foto

Jeton Musliu/RTKlive

(Plotësuar) Disa orë më herët sesa ishte parashikuar, ka filluar takimi mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Sholz dhe presidentin  Francës, Emanuel Macron.

Takimi është duke u mbajtur në Kishinau të Moldavisë në margjinat e samitit të dytë të Komunitetit Politik Evropian.

Pritet që temë kryesore e takimit të jetë situata e fundit e sigurisë në rajon e në veçanti, ajo në veri të Kosovës.

Takimi trepalësh ishte planifikuar të mbahet rreth orës 17:00, por i njëjti tashmë ka filluar.

Siç shihet edhe nga fotografitë e dërguara nga kameramani i RTK-së, Krenar Statovci, i cili po përcjell nga afër këtë ngjarje, në njërën anë janë të ulur kancelari Scholz e presidenti Macron.

Ndërkohë, në anën tjetër, presidentja Osmani është e shoqëruar nga shefi i kabinetit, Blerim Vela dhe ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami.

LAJMI I FUNDIT: Takimi Osmani-Scholz-Macron sot rreth orës 17:00 në Moldavi

Kosova po përfaqësohet në samitin e dytë të Komunitetit Politik Evropian, që po mbahet në kryeqytetin e Moldavisë, Kishinau, nga presidentja Vjosa Osmani-Sadriu.

Pas pjesës formale të mbajtjes së samitit, liderët e 43 vendeve të Evropës dhe BE-së janë duke realizuar takime të shumta mes tyre për të diskutuar çështje të ndryshme.

Megjithatë, siç raporton gazetari i RTK-së, Valon Bajrami, i cili ndjek nga afër këtë samit në kryeqytetin moladv Kishinau, pritet që në orët e pasdites, presidentja Vjosa Osmani-Sadriu, do të ketë takime me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz dhe presidentin  Francës, Emanuel Macron.

Takimi do të jetë trepalësh dhe pritet që të diskutohen zhvillimet e fund në rajon e në veçanti në pjesën veriore të Kosovës.

Takimi është paralajmëruar se mund të ndodhë rreth orës 18:00 sipas kohës lokale në Moldavi, ose orës 17:00 sipas kohës lokale në Kosovë.

Samiti i Komunitetit Politik Evropian zhvillon punimet në Republikën e Moldavisë, në Kalanë Mimi në komunën Bulboaca të kryeqytetit Kishinau.

Liderët evropianë diskutojnë çështje që lidhen me sigurinë e kontinentit evropian në kontekstin e agresionit ushtarak të Federatës Ruse në Ukrainë e sigurinë energjetike.

Në prag të ngjarjes, presidentja e Republikës së Moldavisë, Maia Sandu, deklaroi se ky takim do të forcojë dialogun politik ndërmjet vendeve anëtare të BE-së dhe atyre jashtë, do të ofrojë mundësi reale për ndërlidhjen e Republikës së Moldavisë në BE.

 

 


MË SHUME NGA Lajme