Kurti: Vrasjet e fëmijëve dhe shtatëzënave nuk janë të kaluara
BKT
Lajme

Kurti: Vrasjet e fëmijëve dhe shtatëzënave nuk janë të kaluara

E. Hoti/ RTKlive

Nderimi dhe lartësimi i kujtimit për fëmijët e vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës, ishte në qendër të takimit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti me Rektorin e Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, stafin dhe studentët e angazhuar në projektin për memorialin dedikuar atyre.

Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, u përkujtuan fëmijët e vrarë, të zhdukur apo që e kanë humbur jetën nga kushtet e luftës, si dhe u bisedua për procesin e filluar të konsultimeve me familjarët për mënyrën më të mirë të përkujtimit të memorializimit.

Në një njoftim për media nga Qeveria bëhet e ditur se Kurti ka thënë se krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi, nuk janë të kaluara dhe plagët nga to ende janë të njoma.

Ai theksoi se veçanërisht vrasjet e fëmijëve dhe shtatëzënave gjatë luftës janë gjenocid i kryer nga Serbia, krim ndaj brezave të ardhshëm, që nuk mund të harrohet e as të falet.

Në takimin me studiues e student u bisedua për fillimin e fazes së konsultimit dhe hartimit të dokumentit narrativ mbi memoralin për fëmijët e vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

"U theksua se pas hartimit të dokumentit, do të bëhet shpallja e konkursit ndërkombëtar për projektin e memorialit të fëmijëve. Për prindërit, familjarët dhe dëshmitarët, Qeveria e Republikës së Kosovës ka hapur linjën telefonike: 046 222 006, si dhe e-mail adresën [email protected],  ku mund të kontaktohet ekipet për të shkuar te familjet dhe për t’u inkuadruar në procesin e konsultimeve", thuhet në njoftim.


MË SHUME NGA Lajme