Hoti: Kosova, ecjen dhe dinamikën e saj ta ndjekë krah për krah me aleatët
BKT
Lajme

Hoti: Kosova, ecjen dhe dinamikën e saj ta ndjekë krah për krah me aleatët

M.Miftari/RTKlive

Sot, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dorëzuar kancelarit Olaf Scholz dhe kryetarit të Francës, Emmanuel Macron, një draft-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Lidhur me këtë dhe me ngjarjet tjera në “Lajmet e fundit”, në RTK, ka folur Afrim Hoti, profesor universitar, i cili tha se bëhet fjalë për një situatë atipike, sepse, shtoi ai, e mira e punës do të ishte të prezantohej drafti ashtu siç e do rendi nga Qeveria e Kosovës, sepse po bëhet fjalë për një përgjegjësi që ajo e ka marrë përsipër tash e sa vite për ta implementuar e meqë po ballafaqohemi me një lloj ngërçi, atëherë vijnë edhe nisma të tilla, si kjo e sotmja nga kryeministri Rama.

Ai më tej shtoi se praktika të tilla ka pasur edhe në vende të tjera, derisa tha se në vende e rajonit BE ka përzgjedhur vende “satelite”, të cilat kanë qenë më afër problematikës dhe kanë qenë më të informuar për specifikat e këtyre rasteve. Ai si shembull përmendi Greqinë, si vend që ka informuar BE për rrjedhat e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe Slloveninë, si një urë mes BE-së dhe Ballkanit, etj.

“Mbi këtë bazë kryeministri Rama ka dalë në skenë si rezultat i zhvillimeve interesante i këtyre zgjidhjeve të fundit që po vijnë”, deklaroi Hoti, në Lajmet e fundit”, në RTK.

Ai shtoi më tej se kjo është një platformë, e cila do të mund të ishte bazë mbi të cilën do të mund të zhvilloheshin negociatat, teksa shtoi se Rama ka mbrojtur Kosovën në komunikime me diplomatë ndërkombëtarë.

E për vizitat e emisarëve ndërkombëtarë, Lajçak e Escobar, profesor Hoti tha se është një situatë e komplikuar, derisa kritikoi Kurtin për dështim në raport me ndërkombëtarët.

“Çështja e mbrojtjes së minoriteteve nuk është vetëm çështje e ligjit dhe e Kushtetutës, as vetëm e së drejtës së brendshme, është çështje e së drejtës ndërkombëtare”, sqaroi, mes tjerash, Hoti.

Sipas tij , Kurti do të duhej të ndërmerrte veprime të kundërta, të rinegocionte në tavolinën e bisedimeve ose të ndërmerrte veprime sa për t’i bindur dhe informuar aleatët tanë ndërkombëtarë që ne po ecim në këtë drejtim, në plotësimin e të drejtave të dala përmes kësaj marrëveshjeje.

Hoti, më tej foli për zgjedhjet e reja, për çfarë tha se situata është në favor të Vuçiqit, ngase ka ditur ta luaj lojën mirë në terren, për ta arritur më shumë sesa Asociacioni, teksa paralajmëroi që Kosova mund të përjashtohet si aktor në mbrojtjen e minoriteteve.

“Mbrojta e minoriteteve duhet të mbrohet përmes mekanizmave që ka qeveria dhe nëse qeveria nuk respekton, atëherë ajo largohet krejtësisht nga skena dhe kompetencat i merr një forcë tjetër”, deklaroi Hoti, derisa shtoi se zhvillimet në rajon, më konkretisht lufta në Ukrainë, pastaj raportet Rusi-Serbi, kanë impaktin e vet dhe “do të ishte mjeshtëri e Kosovës që ecjen dhe dinamikën e saj ta ndjekin vazhdimisht e krah për krah me aleatët”.


MË SHUME NGA Lajme