Kurti: Kosovës i duhet sundimi i ligjit  
BKT
Lajme

Kurti: Kosovës i duhet sundimi i ligjit  

M.Miftari/ RTKlive

Në Dubrovnik të Kroacisë, kryeministri Kurti po merr pjesë në konferencën “Kroacia Evropiane: Retrospektiva dhe Perspektiva”, e organizuar nga eurodeputeti kroat, Tonin Picula, ku ka folur për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në një intervistë, Kurti fillimisht foli për angazhimin e qeverisë të cilën e udhëheq ai, duke përmendur aplikimin për anëtarësim në KiE, ku ka aplikuar në mesin e dhjetorit të vitit të kaluar, në kohën e Presidencës Çeke, derisa shtoi se po bën përpjekje në plotësimin e kritereve, sa më shpejtë që është e mundur, porse në baza meritore, ndonëse, shtoi kryeministri Kurti, rruga e integrimit është proces i gjatë. “Anëtarësimi në BE është fat dhe synim i yni”, ka deklaruar kryeministri Kurti.

Më tej, ai foli për qëndrimin e Kosovës kundrejt luftës në Ukrainë, duke iu bashkuar vendeve demokratike perëndimore në mbështetje të Ukrainës, duke vënë sanksione ndaj Rusisë, sepse, sikundër tha Kurti, “është rrugë e vetme e paqes në Evropë”.

Ndërkaq lidhur me situatën në veri të vendit, kryeministri Kurti foli për uljen e tensioneve atje, duke kërkuar tërheqjen e ekstremistëve e dhunshëm serbë nga atje, në mënyrë që të zvogëlohet numri i njësisë speciale të Policisë së Kosovës, ngase, shtoi ai, “Kosovës i duhet sundimi i ligjit dhe një datë për zgjedhje”.

Më tej, kryeministri Kurti bëri të ditur pasojat e dhunës nga ekstremistët serbë, ku dhjetëra ushtarë të KFOR-it pësuan lëndime, gjithashtu policë, si dhe gazetarë.


MË SHUME NGA Lajme