Nikolla vizitë në Suedi: Vlerësime për arritjet në rrugën drejt BE-së
ATSH
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla nisi sot së bashku me deputetet Klotilda Bushka dhe Dhurata Çupi vizitën zyrtare në Suedi, me takimin me ministren për Evropën, Jessika Roswall.
Kryeparlamentarja Nikolla në një postim në rrjetet sociale shprehu mirënjohje për Suedinë për mbështetjen ndaj anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
“Avancimi i reformës në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dëshmojnë vendosmërinë tonë për t’iu bashkuar familjes evropiane. Reforma në drejtësi po i jep fund kulturës së pandëshkueshmërisë. Ne po avancojmë me reformat zhvillimore, demokratizuese dhe integruese jo si qëllim në vetvete, por për të ardhmen dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Nikolla.
Sipas saj, delegacioni pati kënaqësinë të dëgjonte nga ministrja Roswall vlerësime të larta për arritjet e vendit në rrugën drejt BE-së dhe se rezultatet e reformave janë të dukshme dhe mbështesin këtë proces.
Suedia, tha Nikolla, është e gatshme të ndihmojë me ekspertizë për përafrimin e legjislacionit dhe aspekte të tjera të procesit të integrimit.























